Arben Vitia, drejtori në Prishtinë që shpëtoi jetë fëmijësh me projektet e tij

Dhjetëra mijëra fëmijë të shkollave fillore i janë nënshtruar kontrollit mjekësor që nga ardhja e Arben Vitisë në krye të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Prishtinës.

Gjendja e rëndë ekonomike në jo pak familje të kryeqytetit ka evidentuar të dhëna që do të mund të ishin fatale për disa nxënës që janë evidentuar me probleme serioze shëndetësore që do të mund të rezultonin si fatale nëse nuk do të ndërmerreshin veprime të shpejta me kohë. Në disa raste ishin evidentuar nxënës me zhurmë në zemër, e cila mund të kishte pasoja të rënda nëse prindërit nuk do të viheshin në dijeni me kohë. “Janë zbuluar 9 raste me zhurmë në zemër. 6 janë nxënës të klasave të para e 3 raste të klasave të pesta. Moszbulimi i tyre me kohë do të mund të ishte fatal për ta”, thonin specialistët që ishin angazhuar për të evidentuar gjendjen e filloristëve duke krijuar kartelën e tyre digjitale që nga mosha e hershme e fëmijërisë.

944332_1004772929592554_8227082953755759843_n

Kontrolli nxori në pah se nxënësit të shumtën e rasteve vuajnë nga kariesi i dhëmbëve, ndërsa nuk ka qenë i ultë numri i fëmijëve me nivel të pakënaqshëm të higjienës. Shifra mjaft të larta janë evidentuar edhe me ushqyeshmëri të dobët, si dhe kontrasti tjetër, problemi me mbipeshën dhe obezitetin. Kjo aktivizoi Komunën e Prishtinës që të fillojë edhe me projektin e shpërndarjes së shujtave dhe të qumështit për fëmijë.

“Qëllimi i këtyre vizitave sistematike shëndetësore ishte që të krijohet një pasqyrë për gjendjen shëndetësore të nxënësve, të identifikohen problemet më të shpeshta shëndetësore apo ngecjet në zhvillimin fizik dhe psikik të tyre. Gjithashtu duhet të krijohet një bazë e të dhënave për ndërmarrjen e masave për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të tyre”, kishte deklaruar drejtori Arben Vitia, në disa nga paraqitjet e rralla mediatike.

Tash e dy vite, territori i Komunës së Prishtinës vazhdon të jetë më i qetë nga mushkonjat. Kjo për faktin se është disafishuar sipërfaqja që i nënshtrohet dezinfektimit, sikundërse janë shtuar fazat e spërkatjes. Për ironi, çmimi është edhe më i favorshëm në raport me të kaluarën.

largea__mg_8125-jpg1415368475

Që nga ardhja e Arben Vitisë në krye të drejtorisë së Shëndetësisë, janë rinovuar në tërësi disa Qendra të Mjekësisë Familjare, ndërsa qendra kryesore është pajisur me ashensor që do të lehtësojë lëvizjen e rasteve urgjente dhe personave me aftësi të kufizuar. Vitet e fundit do të shënonin edhe rritjen enorm të numrit të vizitave në QMF si dhe efikasitetin në punë. Përkundër kësaj, drejtori Vitia edhe më tutje vazhdon të ballafaqohet me vështirësitë që i sjell vendimi i nivelit qendror për moslejimin e shtimit të stafit, respektivisht infermierëve të rinj. Mirëpo, ai arriti që në disa lagje të Komunës së Prishtinës të fillojë me procedurat e ndërtimit të Qendrave të reja të Mjekësisë Familjare.

Familjet e varfra që jetonin në kontejnerë, u zhvendosën në banesat sociale që ishin të zaptuara nga persona që nuk i plotësonin kriteret, ndërsa familjarët me kushte të rënda u subvencionuan nga Komuna.

Përkundër edhe shumë projekteve që transformuan pozitivisht gjendjen edhe ashtu të rëndë të shëndetësisë në përgjithësi, e veçanërisht në kryeqytet, drejtori Arben Vitia vazhdon të jetë një prej drejtorëve më modest. Sa më të dukshme bëhen sukseset në punën e tij, aq më i padukshëm bëhet ai! Paraqitjet e tij televizive janë të rralla. Pavarësisht insistimeve të medieve, por edhe portalit Sakte.net për të marrë një përgjigje lidhur me punën dhe projektet e tij në të ardhmen në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, përgjigjja e tij mbetet e njëjtë: shpresojë të kemi rast në të ardhmen, aktualisht jam shumë i zënë me punë./Sakte.net

13239884_1038846759518504_2950078037106044245_n

Temat
LajmeVend

Të afërta