Numri i kërkesave të familjeve serbe të zhvendosura që të kthehen dhe të jetojnë në pronat e veta në Komunën e Pejës dhe Istogut, ka shënuar rritje vitin e kaluar dhe po vazhdon edhe këtë vit. Vullnetin e tyre për kthimin e kanë rritur dy faktorë kryesorë, shkruan sot Koha Ditore.
Gjendja e mirë e sigurisë për të gjitha komunitetet në këto komuna dhe programi i financuar nga Komisioni Evropian për kthim dhe riintegrim “EU-RRK”. Ky program është shtrirë nga viti i kaluar edhe në rajonin e Pejës, me ndërtimin e shtëpive të reja për familjet e kthyera.
Me këtë program, që po realizohet nga organizata ndërkombëtare për migrim “IOM”, këtë javë janë përfunduar 6 shtëpi të reja. Dy familje serbe, dy boshnjake dhe dy egjiptiane do të bëhen me shtëpi të reja në Komunën e Pejës, kurse në plan është ndërtimi edhe i dy shtëpive të tjera në këtë komunë./Koha ditore