Projekti një miliard dollarësh që do të ndryshoj ekonominë e vendit

Ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re”, pritet të sjell ndryshime të mëdha në ekonomi dhe në furnizim me energji elektrike. Kështu e parasheh të ardhmen me optimizëm, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Ai në intervistë për KosovaPress tha se projekti për “Kosova e Re” është në fazën e përmbylljes së marrëveshjes komerciale, që pritet të përfundoj në fund të muajit të ardhshëm.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, me investitorin amerikan “ContourGlobal, i cili është prezent në këtë ngjarje (Panairi “EXPOKOS 2016”) dhe besoj që prezenca e tyre dëshmon edhe seriozitetin dhe vendosmërinë për ta realizuar këtë projekt. Ne jemi tani në fazën e përmbylljes së marrëveshjeve komerciale të cilat janë të domosdoshme për të vazhduar më tutje projektin.

Pas përfundimit të kësaj faze, që parashihet të përfundoj në fund të muajit të ardhshëm, do të nis përgatitja e pakos tenderuese për ndërtimin e termocentralit.

Ne presim që lider të ndryshëm botërorë në fushën e prodhimit të energjisë elektrike të jenë pjesë e kësaj gare. Më pas, presim që të bëjmë përmbylljen financiare të projektit. Shpresojmë që nëse shkon gjithçka si duhet, në pranverën e ardhshme të jemi të gjithë të pranishëm atëherë ku do të nisë puna në terren, në lokacionin pranë Kosovës B”, tha Stavileci.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, ka bërë të ditur se projekti i termocentralit do të sjell afër një miliard euro investime për vendin. Kompania amerikane, sipas Stavilecit, parasheh që 30 përqind të këtyre mjeteve t’i siguroj, ndërsa pjesa tjetër do të sigurohet nga institucionet ndërkombëtarë financiare.

“Ky është një projekt i madh me një vlerë të madhe investuese prej diku 1 miliard dollarësh dhe marrëveshja jonë parasheh që 30 përqind të këtyre mjeteve të sigurohen nga fondet vetjakë të kompanisë, e cila është në cilësinë e investitorit, dhe 70 përqind tjera të jenë nga fonde të ndryshme siç janë burimet e Bankës Botërore, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe të institucioneve të tjera financiare ndërkombëtare.

Ky termocentral përveç që i sjell shumë të mira shtetit tonë, mbi gjitha në sigurinë e furnizimit me energji elektrike, do të thosha se sjell një qëndrueshmëri edhe në kuptimin sasior por edhe në kuptimin cilësor. Po ashtu edhe me një përballueshmëri të çmimeve, ndërkohë që ne jemi kujdesur që të jenë të përfshira edhe standardet mjedisore ”, tha Stavileci.

Çmimi më i lirë i energjisë dhe siguria e furnizimit janë disa nga kriteret që janë vendosur në marrëveshje në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “ContourGlobal”. Ministri Stavileci tha se janë vendosur shtatë kritere mbi bazën e të cilave do të ndërtohet termocentrali i ri.

Projektet në sektorin e energjisë nuk do të përfundojnë me ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Qeveria e Kosovës, nga ajo që tha ministri Stavileci për KosovaPress, ka në plane edhe 5 projekte të tjera në fushën e energjetikës.

Si projekti i Kosovës A, Kosovës B si dhe investime në projekte të gazit.
Investimet në projektet energjetike, kryesisht tek ndërtimi i TC “Kosova e Re”, do të ndikojnë në rritje të Bruto Produktit Vendor. E që sipas Stavilecit, ndërtimi i TC-së Kosova e Re do të ketë rritje të BPV-së deri në 1.4 përqind.

“Do të ndikoj në shumë drejtime, por dy prej atyre më të rëndësishmëve natyrisht që janë rritja ekonomike dhe krijimi i vendeve të reja të punës. Ashtu siç e shihni do të ketë një rritje të konsiderueshme për sa i takon GDP-së, me mesataren të cilën ne e kemi prej 1.4 përqindëshit që vije nga realizimi i Kosovës së Re, atëherë ne kalojmë atë normën prej 5 përqind, që besoj se do të ishte njëra prej të arriturave më të mëdha në shtetin tonë në vitet e fundit.

E dyta është krijimi i vendeve të reja të punës edhe gjatë fazës së ndërtimit e edhe gjatë fazës së operimit”, tha Stavileci.

Temat
LajmeVend

Të afërta