Pilotja Savchenko kërkon të bëhet presidente e Ukrainës

Dy ditë pasi autoritetet ruse e nxorën nga burgu, ish-pilotja e helikopterëve ushtarakë, Nadia Savchenko deklaroi se ishte gati të bëhej presidente e Ukrainës.

“Ukrainas, nëse doni që unë të jem presidente, atëherë do të bëhem presidente”, deklaroi ushtarakja e cila ka luftuar në Donbas me batalionin e shumë diskutuar ”Aidar”.

“Unë dua të fluturoj, por për Ukrainën do të bëj atë që duhet, nuk ka rëndësi ku e mbroj Ukrainën, nëse ka nevojë edhe në fushën e betejës”, deklaroi Savchenko në një konferencë shtypi në Kiev.

”Uroj që njerëzit të kenë mësuar të votojnë”, theksoi ajo.

Pilotja ushtarake ukrainase, Nadia Savtchenko, e burgosur në Rusi që dyshohej për vrasjen e dy gazetarëve rusë në lindje të Ukrainës në vitin 2014, u lirua më 25 maj.

Ndërkohë, dy ushtarakë të dyshuar rusë, të dënuar në Ukrainë sepse kanë luftuar në krah të rebelëve prorusë, u amnistuan dhe janë larguar nga territori ukrainas, pas muajsh negociatash për një shkëmbim me piloten ukrainase.

Savchenko u dënua me 22 vite burg nga drejtësia ruse në përfundim të një procesi që e shpalli fajtore në bashkëpunim në vrasjen e dy gazetarëve rusë, në qershor 2014, në lindje të Ukrainës.

Gjashtë muaj procesi gjyqësor ndaj Savchenkos, e cila u shndërrua në një ikonë ukrainase përballë Rusisë, përfunduan në një konfuzion total.

Ndërkohë që gjyqtari shpallte fajësinë e saj, Nadia Savchenko filloi të këndonte një këngë tradicionale me zë të lartë.

Temat
BotëLajme

Të afërta