Donika tregon çfarë pret nesër në LDK

Deklarohet në FB Donika Gervalla për kuvendin e nesërm të LDK-së

LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI.

Çfarë jave!

Filloi me dhunën e shoferëve të LDK-së dhe të qeverisë, të nxitur nga bosat e tyre. Skenë tepër e rëndë për mua, e cila shokoi shoqërinë kosovare dhe Isa Mustafën, Ismet Beqirin dhe oportunistët rreth tyre i zhveshi tërësisht para opinionit.

Pa fjalë më ka lënë gjatë kësaj jave solidarizimi dhe përkrahja e pamasë publike por edhe private e të gjithë shoqërisë; e qytetarëve të thjeshtë, studentëve, veprimtarëve të LDK-së, shoqërisë civile, veprimtarëve politik, kryetarëve të komunave, intelektualëve dhe punëtorëve, vajzave, grave dhe burrave, të rinjve dhe të vjetërve, në media, ne rrjete sociale, në rrugë. Të gjithëve ju falëndëroj një nga një.

Çfarë më bën të ndihem krenare dhe më jep shumë shpresë: bërthama e shoqërisë sonë është kaq e shëndoshë, dinjiteti dhe njerëzia janë të rrënjosura kaq thellë, saqë të gjithë lirisht mund t’i gëzohemi ditës, kur do ta kemi tejkaluar këtë fazë të shëmtuar të historisë më të re, nëpër të cilën po kalon Kosova.

Për më tepër jam më e sigurtë se kurrë se në LDK do të fitojë arsyeja dhe argumeti ndaj injorancës dhe dhunës.

Nesër do të mbahet Kuvendi i LDK-së. Edhe nëse na mundësohet të marrim pjesë, edhe nëse pengohemi të kryejmë detyrën për të cilën jemi zgjedhur por edhe po u tentua që edhe më tej t’i merret fryma LDK-së së Ibrahim Rugovës, një gjë është e sigurtë: ne shqiptarët në Kosovë e dimë mirë se si mbijetohet. E dimë gjithashtu se si bashkohet një popull. Këtë e kemi dëshmuar me kohë.

Ne e dimë gjithashtu se si fitohet më në fund ndaj një kundërshtari më të fortë në numër. Edhe këtë e kemi dëshmuar të gjithë së bashku. T’i rezistosh së keqes me mjete civile dhe të fitosh në fund – dhe këtë do ta bëjmë përsëri.

LIRI, PAVARËSI, DEMOKRACI.

Dy të parat i realizuam. Demokracinë ia kemi borxh fëmijëve tanë.

Temat
LajmeOpinionePërgjithshmeVend

Të afërta