Asamblistët e Prishtinës ankohen: Po paguhemi pa bërë asgjë

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës, po ankohen se po paguhen pa bërë asgjë. Kështu tha në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, asamblisti nga radhët e LDK-së, Shefki Gashi, i cili u ankua se po merr para “haram”, pasi që nuk po bënë asgjë për qytetarët, të cilët e kanë votuar.

Reagimi i tij erdhi në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku tha se nuk po i jepet fjala për të diskutuar për çështje të caktuara.

Ndërsa, Visar Arifaj nga Partia e Fortë, tha se po ndihet mirë që pas një viti e gjysmë, Kuvendi Komunal i Prishtinës, po diskuton për çështje konkrete e thelbësore, pa kurrfarë inatesh.

Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar edhe propozim vendimin për lënien në diskutim publik, të rregullores për menaxhimin e mbeturinave.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti tha se pagesa e mbeturinave, duhet të kushtëzohet me disa shërbime në komunë, pasi që kjo sipas tij, ka dhënë rezultate në disa komuna, ku kjo masë është testuar dhe ka pasur rezultate.

Po ashtu, u kërkua që tarifat e mbeturinave të caktohen në bazë të metrit katror apo numrit të banorëve, pasi që nuk mund të paguajnë njëjtë banorët, pavarësisht numrit të anëtarëve të familjes. Hatixhe Popovci tha se duhet të bëhet kategorizimi i konsumatorëve.

Pati ankesa edhe për kompanitë të cilat reklamojnë, përmes fletushkave duke krijuar mbeturina të panevojshme. Ylli Hoxha, asamblist nga VV-ja, tha se duhet të merren masa ligjore ndaj këtyre kompanive, të cilat po krijojnë mbeturina.

Ndryshe, Kuvendi komunal i Prishtinës, aprovoi transferin prej 50 mijë euro për projektin e KFË-së, për efiçiencën e energjisë. Po ashtu, ka përkrahur iniciativën e bashkësisë Hebreje për ndërtimin e Sinagogës, si dhe planin lokal të veprimit për riintegrimin e personave të riatdhesuar.

Temat
LajmeVend

Të afërta