Art

Pse nuk mbahet festivali tradicional “Esat Bicurri”?

By FIRST CHANNEL

May 26, 2016

Në vitin 2006, Fahri Morina, një mik i këngëtarit të ndjerë Esat Bicurri, bashkë më një grup shokësh, kishte marrë iniciativë për mbajtjen e një festivali që do e nderonte mikun e tyre. Dhe, me këtë rast u themelua Festivali muzikor gjithëkombëtar i muzikës qytetare “Esat Bicurri” në Gjakovë dhe qe vendosur të jetë tradicional, shkruan “Kosovarja”.

Por, ai u mbajt vetëm një herë dhe hiç më shumë! Si festival tradicional ishte paraparë të mbahej çdo vit, më 26 maj. Por, ata që e morën këtë vendim e kanë harruar fare organizimin që mban emrin e doajenit të këngës shqipe!

Familjarë të këngëtarit të ndjerë thonë se nuk u takon atyre që ta marrin këtë iniciativë. Themelimin e festivalit me emrin “Esat Bicurri” e kishin pritur mirë. Madje, edhe e kishin ndihmuar në organizim. “Kur është mbajtur festivali i parë, kam marrë shumë urime nga të gjitha vendet. Njerëzve u ka ardhur shumë mirë për një festival që po mbahet në emër të babës”, ka thënë aso kohe muzikanti Butrint Bicurri, i biri i këngëtarit të ndjerë, Esat Bicurri. Esat Bicurri ka qenë një nga këngëtarët më të njohur jo vetëm në Kosovë. Ai është ekzekutuar nga forcat paramilitare serbe më 7 maj të 1999, së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë. Këngët e tij konsiderohen perla të muzikës popullore shqiptare.

Dhe, kujt nuk i kujtohet kënga fituese me “Okarinë të Artë” në “Akordet e Kosovës” – “E kujtoj atë takim?”, por edhe këngët e tjera, si, bie fjala, “Eja e bardha verë”, “Një lulishte me trëndafila”, “S’ka më të bukur se pranvera”, e shumë të tjera… /Kosovarja/