Arrestohet serbi që u kap me mbi 13 kg marihuanë

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, përmes një njoftimi për medie, ka bërë të ditur se ka konfiskuar mbi 13 kilogramë marihuanë dhe ka arrestuar një person të dyshuar për ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, me datën 25 maj 2016, ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale ‘blerje, posedim, shitje ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” thuhet në njoftim.

Operacioni policor është realizuar në rrugën magjistrale Prishtinë-Graqanicë, konkretisht në fshatin Hajvali, ku pas kontrollit të veturës së të dyshuarit të arrestuar është gjetur sasi e konsiderueshme e narkotikëve.

Personi i arrestuar në këtë rast është I.A. lindur me 1972 mashkull/serb/shtetas i Serbisë.

Gjatë kontrollit në veturën e personit të dyshuar, zyrtarët policorë në veturën e të dyshuarit kanë gjetur dhe kanë konfiskuar: 25 paketime të mbushura me narkotikë të llojit marihuanë, pesha e të cilës ka rezultuar të jetë 13 kilogramë e 457.6 gramë, 10180 dinarë dhe 95 euro para të gatshme, dy telefona celularë.

Me vendim të prokurorit kompetent i dyshuari është arrestuar dhe dërgohet në qendrën e mbajtjes.

Temat
LajmeVend

Të afërta