Tjetër miting i Trump, protesta sërish degjeneron në dhunë (Video)

Tubimi i kandidatit republikan Donald Trump, në New Mexico, u ndërpre të martën në mbrëmje nga një grup protestuesish të zemëruar, ndërsa nuk vonoi shumë që mitingu në Albuquerque të degjeneronte në dhunë.

Dhjetëra pjesëtarë të policisë, shumë prej tyre me kuaj, i paralajmëruan disa herë protestuesit të qëndronin larg trotuarit, përballë vendit ku prisnin në radhë mbështetësit e Donald Trump, por pa sukses.

Demonstruesit, që mbanin parulla me mesazhe si “Trumpi është fashist” dhe “Mjaft kemi dëgjuar”, dogjën bluza me sloganin e miliarderit “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhe”, si dhe hodhën sende në flakë mbi policinë.

Gurët thuhet të kenë dëmtuar një nga dyert e sallës së Kongreseve në Albuquerque, përcjell TCH.

Një pjesë e protestuesve arritën të hyjnë brenda tubimit, duke e ndërprerë disa herë pronarin e patundshmërive.

Disa syresh u tërhoqën zvarrë përjashta ndërkohë që Trump po komentonte: Kjo është shumë emocionuese, apo jo?

Kjo ishte vizita e parë e Trumpit në New Mexicon me popullatë hispanike.

Kandidatja demokrate, Hillary Clinton, nga ana tjetër pati një mbrëmje të qetë në “The Ellen DeGeneres Show”, ku diskutoi me prezantuesen e famshme çështje politike të përqendruara më shumë te vendimi i rivalit të saj, Bernie Sanders, për të qëndruar në garë deri në Konventën e korrikut.

“Është zgjedhja e tij – tha Clinton, – dhe e kuptoj, sepse edhe unë vet vendosa t’i shkoj deri në fund betejës, me atë që asokohe ishte senatori Obama”.

Temat
BotëLajme

Të afërta