Një muaj arrest shtëpiak për profesorin Gashi, aktivist i VV-së

Profesori i Shkollës Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec, Azbi Gashi, akuzohet për përdorim të armës dhe për armëmbajtje pa leje. Ai ka shtënë me armë pas një përleshjeje me një nxënës të shkollës së tij.

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Gjakovës vendosi që ndaj të pandehurit Azbi Gashi nga fshati Bellacërkë i Rahovecit të caktohet masa e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm.

I dyshuari akuzohet edhe për veprën penale – mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

“I pandehuri do të mbahet në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit, data 24.05.2015 dhe do të zgjasë deri më datën 24.06.2015”, thuhet në aktvendimin e kësaj Gjykate.

Gjyqtari i procedurës paraprake e miratoi kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Azbi Gashi dyshohet se pas një zënke më një nxënës të Shkollës Profesionale “Selajdin Mullaabazi-Mici” në Rahovec ka shtënë me armë zjarri.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të oborrit të shkollës./Kallxo.com/

Temat
LajmeVend

Të afërta