Shkruan : Prof.dr.Nazim Qehaja
Lexues të nderuar! Aktakuza për vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor dhe mosdhënie e ndihmës mjekësore”, për mjeket: M. SH, H. Z. dhe V. K., si shkaqe të vdekjes së pacientes
A. S., pas aktit të lindjes, në Spitalin Gjinekologjik-Obstetrik të Gjilanit, është e bazuar tërësisht, në interpretimin vetjak, jokompetent të Prokurorit, si gjëja trajtim medikamentoz i gabuar dhe në interpretimin ndryshe të deklararave të punëtorëve shëndetësor të këtij spital, nga ana e tij.
Me këtë akt, dhe me shpalljen e rastit si vepër penale me vetëdeshirë, duke lejuar dhe publikimin mediatik, pa pasur mendimin e Komisionit Mjekësor Kompetent, prokurori ka bërë shkelje të rëndë të procedurës hetimore dhe etikës profesionale, mbi të gjitha, qellimisht apo nga mosdija, ka komprometuar turpshëm personalitetin e mjekut, në veçanti dhe integritetin e mjekësisë, në përgjithësi.
Familjarë të nderuar! Me përgjegjësi të plotë profesionale dhe etiko-mjekësore, bazuar dhe në njohuritë profrsionale personale shumëvjeçare, si dhe në deklaratat e numërta të punëtorëve shëndetësorë të Spitalit Gjinekologjik, vlerësoj se në këtë rast, vdekja e bijës suaj nuk është pasojë e neglizhencës mjekësore. Faktet të cilat flasin në këtë kontesks, të konfirmuara edhe nga ekspertiza mjekoligjore janë:
1. Mungesa e mbeturinës placentare në zgavrën e mitrës, si shkak i mundshëm i gjakderdhjes vdekjeprurëse
2. Mungesa e çarjes (Rupturës) në Mitër, si indikacion i domosdoshëm për trajtim kirurgjijal
3. Prania e suturës kirurgjikale në rupturën vagjinale, tregues i trajtimit të duhur dhe parandalues i gjakderdhjes vdekjeprurëse dhe 4. Aplikimii transfuzionit të gjakut, procedurë kopmpensuese e gjakut të humbur. Lacerimi ose zhveshja e shtresës sipërfaqësore e qafës së mitrës dhe inflamacioni kronik i saj, si pjesë e gjetjeve në ekzaminimin mjekoligjor, nuk mund të jenë në asnjë rast shkaktar të gjakderdhjeve vdekjeprurëse.
Pa dashur të kontestohet gjakderdhja si shkak i vdekjes, edhe pse për një gjë të tillë mungojnë në tërësi të dhënat klinike dhe mjekoligjore, shkaqet e saj duhen kërkuar në sistemin e hemostazës, në të cilin bëjnë pjesë: numri i pamjaftueshëm i trombociteve, mungesa e njërit nga faktorët e mpikjes së gjakut dhe prania e substancave toksike, nga më të ndryshmet në organizëm, pa përjashtuar edhe ato për përdorime higjenike, të cilat veprojnë duke zvogëluar kapacitetin oksigjenues dhe oksigjenbartës të gjakut.
Tani, mbetet të verifikohen përmes ekzaminimit miktoskopik të organeve, shkaqet e tjera vdekjeprurëse dhe predisponuese për një lindje të rrezikuar. Në grupin e parë bëjnë pjesë: DIC-u (Koagulimi Intravaskular i Diseminuar), Infarkti akut i zemrës dhe inflamacioni qelbëzues dufuz i mitrës, i shoqëruar me seps dhe bakteriemi. Në grupin e dytë bëjnë pjesë: sëmundjet obstruktive të mushkërive, sëmundjet kronike të veshkave dhe sëmundjet virale të mëlçisë, të cilat rrezikojnë jetën me mekanizmin e vetintoksikimit të brendshëm, ngjashëm me toksinat e jashtme, që u përmendën më sipër.
Se në këtë rast kishim të bënim me çrregullime parësore të mpikjes së gjakut, koncentrimit të lartë të dioksid karbonit dhe kapacitetit të ulët oksigjenues, flet qartë ngjyra e errët dhe forma me droçka (koagula të paformuara dhe të paqëndrueshme) e tij. Në kontekst të kësaj flet edhe vuajtja e fëmijës për oksigjen.
Në këtë vend, familjarë të nderuar, dua t’ju ngushëlloj me faktin se në mjekësinë botërore, si edhe në rastin tuaj, ka me qindra të tjera, ku shkaqet e vdekjes mbesin të paidentifikuara, por askund nuk kërkohet trajtim penal i tyre. Andaj, tragjedia juaj, për fat të keq, s’është gjë tjetër, veçse një luftë kundër të vegjëlve për t’i mbuluar krimet e të mëdhenjve!
Raporti mjekoligjor nuk është i plotë.