Me aktivitete të shumta, të organizuara nga Iniciativa “Let’s Do It Kosova”, është shënuar sot, 24 maji, dita e pastrimit të Kosovës.
Aktivitete për shënimin e kësaj dite, janë organizuar në 30 komuna të Kosovës, me mbi 60 mijë vullnetarë, të cilët janë angazhuar për eliminimin e 147 deponive ilegale, dhe mbeturinave të tjera të grumbulluara në pjesë të ndryshme të vendbanimeve.
Aktivitetet e ditës së sotme, janë konkretizuar me aksione pastrimi, të cilat kanë filluar në ora 10:00 paradite, ndërsa kanë zgjatur deri në orët e pasdites, dhe kanë rezultuar me largimin e më shumë se 5 mijë ton mbeturina.
Manifestimi më i madh është shënuar në Komunën e Prishtinës, konkretisht në lagjen “Kalabria”, ku kanë marrë pjesë mbi 500 vullnetarë, ndërsa numri më i madh i deponive janë larguar nga Komuna e Podujevës. Me 21 deponi të larguara, Podujeva është treguar komuna më e suksesshme, në shënimin e kësaj dite.
Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” falënderon të gjithë kryetarët e komunave, të cilët u janë bashkuar aktiviteteve të sotme dhe kanë ndihmuar në realizimin e aksioneve.
Përveç kryetarëve të komunave, falënderojmë edhe qytetarët, pjesëtarët e shoqërisë civile, zyrtarët komunalë dhe pjesëtarët e FSK-së.
Aktivitetet janë përkrahur edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku përfaqësuesit i saj, Samuel Zhbogar, ka shoqëruar vullnetarët e Iniciativës “Let’s Do It Kosova”, në aksionin e Komunës së Obiliqit.
Angazhimet e ditës së sotme, duke filluar nga krerët shtetërorë e deri te nxënësit e shkollave fillore janë tregues të qartë, se të gjithë kanë filluar të vetëdijesohen për rëndësinë e një mjedisi të pastër.