Kush është djali i Hysni Milloshit i kërkuar për vrasjen e Elton Çiçës dhe përfshirja e tij në krime

Elton Çiço u ekzekutua mbrëmjen e 2 majit brenda Bar “De Niros” vetëm pak minuta pasi ishte ulur në një tavolinë ku ndodheshin dy miq të tij, njëri me profesion oficer policie dhe tjetri mjek, dhe në praninë e një gazetari të njohur të kronikës. Sikundër u konstatua edhe nga pamjet filmike të kameras së sigurisë brenda lokalit, atentatori trupmesatar ishte i mirëinformuar për objektivin, duke mos i lënë asnjë mundësi reagimi. Vetëm 26 ditë më vonë Policia e Shtetit në një dalje publike bën të ditur emrat e personave të dyshuar si ekzekutues të Çiços. Ata janë Renato Milloshi dhe Jani Alia, të dy të shpallur në kërkim nga Policia.

Po kush është Renato Milloshi dhe cilat janë lidhjet e tij me krimin. Dhe si u dënua për kanosjen me armë të ish të dashurit të së dashurës një vit më parë?

Renato Milloshi është djali i Hysni Milloshit, kryetarit të ndjerë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, të pas viteve ’90.

Renato është një emër i lakuar edhe më herët në dosjet e policisë.

36 vjeçari është dënuar nga Gjykata e Tiranës, më 30 mars të vitit të kaluar për mbajtje pa leje të armëve sportive.

Gjatë gjykimit u provua se Milloshi dhe e dashura e tij Sesilia Egra, kanë keqtrajtuar dhe më pas kanosur me armë, shtetasin Mareglen Abedini, i cili ka qenë ish-i dashuri i të pandehurës Sesilia Egra.

Kjo e fundit për këtë krim është dënuar me 4 muaj burgim, ndërkohë djali i Hysni Milloshit, është deklaruar fajtor dhe dënuar me 2 milion lekë gjobë, shumë të cilën duhet ta shlyente brenda një periudhe një vjeçare.

Sipas vendimit të gjykatës së kryeqytetit konflikti mes dy të pandehurve Sesilia Egra, Renato Milloshit dhe shtetasit Mareglen Abedini, ka ndodhur në muajin nëntor 2014 në orët e vona të natës.

Ngjarja

Të dy të pandehurit kanë qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit në automjetin e të pandehurit Renato Milloshi. Pikërisht kur të dy të pandehurit kanë qënë ndodhur në vendin e quajtur Rruga “Avdyl Frashëri” në kryeqytet në afërsi të Librit Universitar, ata kanë parë shtetasin Marenglen Abedini, i njohur për të dy të pandehurit, pasi sipas organit të akuzës ky shtetas para disa kohësh ka patur një lidhje të afërt me të pandehurën Sesilia Egra.

Rezulton nga aktet se në këtë moment kur shtetasi Marenglen Abedini, ka qenë duke hyrë në automjetin e tij, atij i është afruar i pandehuri Renato Milloshi, i cili ka hapur derën e mjetit të tij dhe me një armë sportive të cilën ai e mbante pa leje të organeve kompetente, e ka goditur atë në kokë me qytën e saj, dhe ka tentuar të mos lejojë shtetasin Marenglen Abedini, të largohet duke i marrë çelsat e mjetit të tij.

Pas një përleshje fizike midis të dyve dhe ndërsa të pandehurit Renato Milloshi i bie pistoleta në tokë, shtetasi Marenglen Abedini drejtohet për në mjetin e tij, me qëllim që ti merrte çelsat e tij, ku tashmë atje ndodhej e pandehura Sesilia Egra, pikërisht kjo e fundit ka marrë armën sportive të pandehurit Renato Milloshi dhe duke ja drejtuar atë shtetasit Marenglen Abedini me armën në pozicion qitje e ka kërcënuar atë me shprehjet “…Largohu… largohu…!”.

Pas kësaj ngjarje të dy të pandehurit Sesilia Egra dhe i pandehuri Renato Milloshi,janë larguar ndërsa në vend ngjarje kanë mbërritur forcat policore ku midis veprimeve të para hetimore dhe proçeduriale, kanë konstatuar të hedhur në tokë pistoletën me mbishkrimin “Erma” së bashku me 4 fishekë të cilën e kanë sekuestruar.

Temat
LajmeRajon

Të afërta