Lajme

“Nëse duam të lëvizim pa viza gjatë kësaj vere, demarkacioni duhet të ratifikohet deri më 1 korrik”

By FIRST CHANNEL

May 23, 2016

Marrëveshja për shenjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet të ratifikohet në Kuvend, më së largu deri nga fundi muajit qershor ose fillimi i korrikut. Vonesa e rrezikon seriozisht procesin e lëvizjes së kosovarëve pa viza. Kështu ka thënë ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në një prononcim për gazetarët, pas një ligjeratë që ka mbajtur para studentëve të Kolegjit ISPE.

Çollaku ka thënë se demarkacioni ka qenë një kërkesë që nga fillimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe nuk është diçka e re.

“Duhet të jemi shumë të qartë dhe tepër transparentë me qytetarët e Kosovës. Çështja e demarkacionit ka qenë një kërkesë që nga fillimi i liberalizimit të vizave dhe nuk është diçka e re ashtu siç po thuhet nga disa palë të përfshira në këtë proces”, tha ministri.

Lexoni edhe: Merkel: Turqisë nuk do të mund t’i hiqen vizat më 1 korrik

“Komisioni Evropian edhe pas dhënies së rekomandimit për liberalizim të vizave, e ka bërë të qartë që Kosova deri në momentin e vendimmarrjes përfundimtare duhet patjetër ta bëjë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe njëkohësisht të dëshmojë edhe më tepër vullnet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe këto janë dy kushte, dy kritere, të cilat i ka lënë të hapura dhe si të domosdoshme për t`i implementuar derisa nuk fillon zbatimi praktik i lëvizjes pa viza”.

“Puna e demarkacionit dhe puna e komisionit shtetërore që e ka bërë këtë proces e ka udhëhequr ka përfunduar. Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen dhe e njëjta duhet patjetër të kalojë në Parlamentin e Kosovës për ratifikim. Nëse nuk ratifikohet, me siguri, se kjo do t`i shërbejë si argument i madh shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe brenda Parlamentit të Bashkimit Evropian që të thonë se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret dhe nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave në këtë moment. Dhe kjo do ta shtynte këtë proces në një fazë krejt tjetër, e cila do të sillte me vete shumë të panjohura. Nuk është në interes të askujt që të rrezikohet liberalizimi i vizave”.

“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me Komisionin Evropian dhe me Parlamentin e Bashkimit Evropian dhe kjo çështje patjetër duhet të ratifikohet më së largu deri nga muaji i fundit qershor, apo fillimi i muajit korrik”, ka theksuar Çollaku.