Muajin e ardhshëm bëhen 17 vjet në liri, e në 14 fshatrat e Rugovës banorët ende pinë ujë nga krojet e improvizuara prej burimeve natyrore dhe derdhin ujërat e zeza nëpër përrenj dhe Lumëbardhë, në mungesë të ujësjellësit dhe kanalizimit me impiante për trajtimin e ujërave të zeza.
Për këtë infrastrukturë kyçe për zhvillimin e kësaj treve nuk ka pas nga asnjëri pushtet i kaluar e as i tashmi ndonjë plan apo projekt konkret investimi, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryesisht janë bërë investime në infrastrukturën rrugore, e cila ka qenë e pamjaftueshme për nxitjen e zhvillimit të turizmit në gjithë këtë trevë.
E zhvillimi i turizmit në Rugovë është proklamuar gjithmonë nga institucionet komunale, si themel i zhvillimit ekonomik të Pejës.
Shumica e asaj që është investuar në fshatrat e Rugovës janë investime vetjake të banorëve.