Analistët: Përplasjet nëpër komuna, shenja të lëkundjes së koalicionit edhe në qendër

Dy partnerët e koalicionit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kohëve të fundit kanë drejtuar akuza të ndryshme në drejtim të njëra-tjetrës, e që vë në dyshim vazhdimin e koalicionit. Rasti i fundit është në Komunën e Pejës, ku kryetari Gazmend Muhaxheri ka shkarkuar dy drejtorë të PDK-së të cilët nuk e mbështetën një kërkesë të Ministrisë së Financave që të rishikohet buxheti.
Përveç në Pejë, përçarje mes dy partive kohëve të fundit ka pasur edhe në disa komuna tjera.

Lidhur me këtë, zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thënë për Indeksonline se ngjarjet që ndodhin mes partive në nivel komunal, nuk ndikojnë fare në atë qendror.

“Absolutisht qeverisja qendrore dhe lokale janë të ndara, madje në qeverisje lokale ne kemi koalicion edhe me partitë që në nivel qendror janë në opozitë, kështu që ato nuk ndikojnë fare në nivelin qendror”, ka thënë Gecaj i cili vije nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani ka thënë për Indeksonline se nuk beson që përçarjet në komuna mund të ndikojnë në prishje të koalicionit në qendër.

“Nuk besoj që mund të ndikojnë në prishje të koalicionit, por mund të ndikojnë në një ftohje të përgjithshme politike, prandaj në ftohjen politike kanë ndikim të vogël, që mund të jetë një mundësi më tutje. Nuk besoj që do ta ketë ndikimin kryesor por megjithatë është një reflektim edhe i politikës qendrore në ftohje”, ka theksuar Hasani.

E analistët vlerësojnë se gradualisht po krijohen kushte që koalicioni të shkoj drejt fundit, në një periudhë jo shumë të largët.
Analisti Imer Mushkolaj ka thënë për Indeksonline se këto përplasje nëpër komuna janë shenja të lëkundjes së koalicionit edhe në qendër.

“Koalicioni qendror do të prishet kur të dëshirojë PDK-ja, pavarësisht se zyrtarë të LDK-së mendojnë ndryshe. Ata e dinë se me këtë parti janë futur në koalicion për interesa individuale, përkundër vullnetit të votuesve të LDK-së. Andaj, prishja e koalicionit nuk do të ishte befasi”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka vlerësuar se po që se koalicioni prishet, kjo nuk do të bëhet për parime, por për shkak të pamundësisë për të përfituar sa më shumë pushtet e privilegje.

E analisti Behlul Beqaj thotë se përçarja e koalicionit diku ka ndodhur rastësisht e diku duke dëshmuar se sa pushtet lokale janë të pavarura nga qendra ,ndërsa në të ardhmen do të ndodhin edhe sipas inercionit.

“Mendoj se interesi i qendrës është shumë më i rëndësishëm se i koalicioneve lokale edhe për faktin se pas koalicionit qendror qëndron edhe bashkësia ndërkombëtare. Prandaj, nuk pres që të rrezikohet koalicioni në qendër, por po krijohen kushtet graduale për thellimin e kontradiktave mes partnerëve të koalicionit që do të thotë se në të periudhën jo fortë të largët mund të pritet një rrezikim më serioz”, a vlerësuar Beqaj.

Duke folur për qëndrimet e ndryshme të dy partive sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, Beqaj ka thënë se kjo është për arsye taktike. Sipas tij, të krijohet përshtypja se gjoja se kanë dallime mes vete, në fakt është rruga për të pranuar një kompromis me opozitën por të paraqitet sikur të ishte produkt i dallimeve mes partnerëve të koalicionit e në fakt është përafrim kah kërkesa e opozitës.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që në këto dallime të mos ketë dorë ndonjë subjekt i opozitës”, ka përfunduar Beqaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta