Ali Berisha, Gazmend Muhaxherit: Mos u merr me mua, po fol me ata që s’kanë tokë për të falur

Ish-kryetari i Komunës së Pejës, tani deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Ali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit aktual të Pejës, Gazmend Muhaxheri, duke shkruar se Muhaxheri me propagandën e tij po mundohet ta çorientojë opinionin e gjerë nga problemet e shumta dhe pa rrugëdalje që e kanë kapluar Komunën e Pejës. Ai po ashtu demanton Muhaxherin që kishte thënë se Berisha, kur ishte kryetar i Pejës, e kishte përkrahur demarkacionin me Malin e Zi.

“Lexova se Gazmend Muhaxheri më paska përmendur në media rreth Demarkacionit, kinse ne që po protestojmë dhe po e kundërshtojmë, sikur të ishim në pozitë do ta kalonim këtë çështje, diskutimi i të cilës paska filluar në kohën sa kam qenë unë Kryetar i komunës së Pejës. LAJM!?

Të kundërtën e kësaj që e thotë ky njeri, shumë lehtë mund ta vërtetojë çdokush që është i interesuar, duke nxjerrë të gjitha procesverbalet e takimeve rreth kësaj çështjeje (nga momenti i parë) në të cilën unë kam marrë pjesë (kam përfaqësuar Komunën e Pejës) ose edhe në të tjerat ku Kryetarin dhe Komunën e ka përfaqësuar z. Ali Lajçi – atëherë nënkryetar i komunës së Pejës.

Lexo edhe: Muhaxhiri: Donika s’është dashur të shkoj në mbledhjen e LDK-së (Video)

Në jetën time, kurrë nuk jam fshehur prapa gjërave që i kam thënë.

Sa i përket asaj se; po të isha/im, ne në pozitë (unë dhe AAK) do ta kalonim (Demarkacionin), nuk ka nevojë të zgjatem shumë në arsyetim. Edhe sot në pozitën-tat ku ndodhem-i (në Kuvendin e Kosovës), qëndrimi im-ynë mbetet i vjetri ose i njëjti. Kosova (Rugova e Podguri) nuk kanë tokë për të falur.

Gazmend Muhaxheri këtë propagandë po e bënë me mbështetjen e qarqeve të caktuara, për të çorientuar opinionin e gjerë nga problemet e shumta e pa rrugëdalje që e kanë kapluar në Komunën e Pejës, në partinë e tij të fundit (LDK-në) dhe tashmë edhe në koalicionin qeverisës lokal e qendror.

Gazmend Muhaxheri në vend se të merret me emrin tim, më mirë bënë tu tregojë publikisht rugovasve, podgurasve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës se cili është qëndrimi zyrtar i tij rreth çështjes së Demarkacionit.

Çka ka premtuar në kohë zgjedhjesh për këtë çështje dhe çka deklaron sot ?!

Sot opinioni i gjërë, popullata, elektorati, fatmirësisht nuk është ai i vitit 2013. Në kohët e sotme, rrjetet sociale, mediat, shpejtësia e informacionit kanë ecur vrullshëm. Falë kësaj, sot opinioni nuk viktimizohet nga dikush që tenton ti mbulojë dështimet duke e luajtur viktimën vet. Vetëm propaganda e Gazmendit dhe vet Gazi kanë mbetur në vitin 2013 dhe kjo është fatkeqësi kolegtive për komunën që ai drejton.

Në kuadër të kësaj propagande që ky njeri e ka të zhvilluar në masë, kjo nuk është hera e parë që Gazi tenton të sjellë mjegull e huti në opinion rreth kësaj teme dhe temave të tjera, shpeshherë duke keqpërdorur edhe median (edhe ate të huaj), por çdo ditë që kalon e ka kot.

Tashmë kur’ i kanë shkuar pothuaj 3 vjet që kur është në qeverisje të Pejës, popullata –opinioni e ka qartë çdo detal, çdo premtim, cdo gënjeshtër dhe çdo veprim që është gatuar në kuzhinat e Gazit dhe qarqeve të tij” (sic.), ka shkruar Berisha në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/

Temat
LajmeVend

Të afërta