Lajme

Ministri serb i Kosovës thotë se u keqkuptua për FIFA dhe UEFA

By Emanuel Demaj

May 20, 2016

Para disa ditësh ministri serb në Qeverinë e Kosovës, Ljubomir Mariq, kishte deklaruar se anëtarësimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA është vendim politik, por pas vërejtjeve të Kryeministrit Isa Mustafa për këtë deklaratë, Mariq po thotë se fjalët e tij u keqkuptuan me qëllim.

Sipas Mariq, deklaratat e tij u deformuan vetëm për ta bindur opinionin se ai mendon keq për Kosovën.

Madje, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, duke folur në emisionin “Marrëveshja” në TV Kim tha se kjo nuk është hera e parë që deklaratave të përfaqësuesve të serbëve në Qeverinë e Kosovës u jepet konotacion negativ.

“Çdo fjali e mundur po kthehet në një mënyrë të tillë që ne jemi duke bërë diçka kundër dikujt, që do të thotë diçka të keqe ose ia duam dikujt të keqën, dhe kjo është plotësisht e pavërtetë”, ka thënë Mariq. “Kjo po ndodh në formë të strukturuar madje, jo vetëm me deklaratat e mija por edhe me deklaratat e të tjerëve. Unë nuk e shoh si mund të ofrohemi ne në këtë mënyrë. Nuk mendojmë asgjë të keqe dhe nuk kemi bërë asnjë të keqe”.

Mariq tha se për njerëzit në Kosovë duhet të jetë e rëndësishme që ministria është duke punuar, e jo deklaratat e keqinterpretuara.

Ndërsa sa i përket faktit se Mariq në vend se të thotë vetëm Kosova, ai shton edhe Metohija, ai ka thënë se kjo nuk është aspak një çështje që duhet të merren njerëzit më të dhe se ky emërtim nuk ka asnjë të keqe.

“Ne shpesh përdorim një term ose tjetër, thjesht mendojmë se kjo nuk është diçka që është e domosdoshme për dhe në jetën e qytetarëve. Nëse dikush ma dëshmon se qytetarët do të jetojnë më mirë nëse unë nuk e përdori atë term atëherë nuk do ta them më”.

“Unë nuk shoh pse dikush duhet të shqetësohet për këtë çështje. Nuk e di as pse duhet të kuptohet si provokim. Mendoj se e rëndësishme është që të respektojmë njëri-tjetrin në maksimum, diversitetin tonë, fenë dhe kombësinë”, ka thënë Mariq.