Lajme

Aktakuzë kundër Besnik Berishës për zbulim të fshehtësisë zyrtare

By FIRST CHANNEL

May 20, 2016

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Besnik Berishës, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Berisha akuzohet për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ngarkohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare, duke publikuar informata për procesin e punës së prodhimit të dokumenteve, të cilat sipas ligjit klasifikohen si sekret zyrtar.

Këto veprime i pandehuri i ka kryer gjatë kohës sa ishte në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për prodhim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, thuhet në një njoftim të prokurorisë.

Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit. Fillimisht, një kallëzim penal ishte ngritur ndaj tij nga Policia e Kosovës në qershor të vitit 2015. Atë kohë, Berisha ishte i pezulluar nga puna në MPB.

Ai ka akuzuar publikisht MPB-në se ka pasur dallavere rreth një tenderi për pasaportat biometrik./Insajderi.com