Aktakuzë kundër Besnik Berishës për zbulim të fshehtësisë zyrtare

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër Besnik Berishës, ish-udhëheqës i Divizionit të Prodhimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Berisha akuzohet për “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ngarkohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe zbulimin e fshehtësisë zyrtare, duke publikuar informata për procesin e punës së prodhimit të dokumenteve, të cilat sipas ligjit klasifikohen si sekret zyrtar.

Këto veprime i pandehuri i ka kryer gjatë kohës sa ishte në pozitën e Udhëheqësit të Divizionit për prodhim në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, thuhet në një njoftim të prokurorisë.

Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.
Fillimisht, një kallëzim penal ishte ngritur ndaj tij nga Policia e Kosovës në qershor të vitit 2015. Atë kohë, Berisha ishte i pezulluar nga puna në MPB.

Ai ka akuzuar publikisht MPB-në se ka pasur dallavere rreth një tenderi për pasaportat biometrik./Insajderi.com

Temat
LajmeVend

Të afërta