500 shqiptarë azilkërkues u kthyen nga Holanda gjatë këtij viti

Ditën e sotme, 30 azilkërkues shqiptarë, të cilët nuk dëshironin të ktheheshin vullnetarisht nga Holanda në Shqiperi janë kthyer forcërisht me një fluturim të posaçëm qeveritar në vendin e tyre të origjinës.

Bëhet e ditur se në këtë fluturim ka gjithashtu persona që janë përpjekur të shkojnë në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme nëpërmjet porteve holandeze.
Sipas një njoftimi për shtyp, mësohet se në këtë fluturim ndodhen edhe 3 emigrantë shqiptarë të kthyer nga Belgjika.

Me këtë fluturim qeveritar, numri total i nënshtetasve shqiptarë të kthyer nga Holanda për vitin 2016 arrin 500 persona, përfshirë këtu si ata të kthyer vullnetarisht ashtu dhe ata të kthyer forcërisht.

Gjatë vitit të fundit, numri i shqiptarëve të ardhur në Holandë për të kërkuar azil është rritur ndjeshëm. Vetëm gjatë katër muajve të fundit të vitit 2015 ka patur rreth 750 aplikime për azil.

Ndërsa gjatë këtij viti deri në mes të majit ka patur 900 aplikime. Disa prej azilkërkuesve janë persona të ardhur në Holandë nëpërmjet një tjetër vendi të BE-së.

Shume prej tyre kanë rrugëtuar për shkak të një keqinformimi të shpërndarë ndërmjet të tjerash edhe nëpërmjet kanaleve të trafikimit njerëzor dhe trafikantëve në Evropën Perëndimore, në kërkim të mundësive më të mira ekonomike.

Në fillim të këtij viti, Holanda dhe Shqipëria ranë dakord që kthimi i azilkërkuesve në të ardhmen të bëhej edhe me grupe, në mënyrë që personat që nuk duan të kthehen vetë të kthehen më shpejt; ndërsa më parë kjo gjë bëhej nëpërmjet fluturimeve normale.

Midis Shqipërisë dhe Holandës ekziston një bashkëpunim shumë i mirë në fushën e migracionit dhe rikthimit mbi bazën e marrëveshjeve europiane që ka Shqipëria me Bashkimin Europian. Kjo është një mënyrë e re e të punuarit së bashku, ku të dyja vendet dëshirojnë të luftojnë në mënyrë me efektive qëndrimin e paligjshëm./Shekulli/

Temat
LajmeRajon

Të afërta