Veseli: Lista Serbe të reflektojë, ushtria do të bëhet

Shndërrimi i FSK-së në ushtri ka hasur në vështirësi reale kushtetuese për shkakun se për formimin e saj duhet vota e dyfishtë e pakicave në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë çështje dje erdhi një sinjal nga Kongresi amerikan, i cili i kërkoi administratës së Obamës që ta shtyjë përpara çështjen e Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-s.

Kongresi amerikan zyrtarisht njëzëri ka miratuar amandamentin ku i bëhet thirrje administratës amerikane që të përgatisë Kosovën për partneritet për paqe me NATO-n. Këtë vendim të Kongresit amerikan e kanë mirëpritur krerët e shtetit.

“Falënderoj Kongresin amerikan për këtë vendim dhe jam i bindur se Kosova po përgatitet dhe veq është gati për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, një forcë kjo multietnike dhe me një përfaqësim meritor gjinor. FSK-ja ka bërë reforma të rëndësishme, reforma këto plotësisht në përputhshmëri me standardet e NATO-s. Prandaj mund të themi që këto javët e fundit që i kemi kaluar kanë qenë javë evropiane dhe euroatlantike për Kosovën dhe kjo ka qenë meritë e të gjithëve”, ka theksuar presidenti Hashim Thaçi për RTK-në.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se vendimi i djeshëm tregon lartpamësinë e një shteti, i cili dëshiron stabilitet.
“Vendimi i djeshëm i Kongresit amerikan është një vendim jashtëzakonisht pozitiv, i cili tregon edhe një herë largpamësinë e një shteti, siç është shteti amerikan, i cili dëshiron stabilitet për regjionin. Nuk po flas në këtë kontekst vetëm për Kosovën. E konsideroj jashtëzakonisht pozitiv për vetë faktin se i inkurajon të gjitha palët edhe këtu në Kosovë për të sensibilizuar se sa është e rëndësishme ushtria e Kosovës”, ka thënë Veseli për RTK-në.

Ai tutje ka theksuar se është i pashmangshëm krijimi i Forcës së Armatosur të Kosovës.

“Duhet të kuptohet se ky shtet nuk do të mbetet peng i askujt jashtë Kosovës dhe ne do të veprojmë. Ne jemi të vonuar në këtë proces, prandaj ftoj veçanarisht kolegët e Listës Serbe që janë duke e bërë një punë shumë pozitive në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të reflektojnë edhe në këtë çështje, për arsye se kjo do të bëhet domosdo”, ka nënvizuar Veseli.

Edhe pse nuk e ka ende statusin e ushtrisë, Forca e Sigurisë e Kosovës në vitin 2015 për qytetarët e Kosovës ka dalë të jetë institucioni më i besueshëm në Kosovë, me 67.8 %.

Temat
LajmeVend

Të afërta