Pavarësisht rekomandimit nga BE-ja se pa ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi nuk ka viza për kosovarët, për koalicionin opozitar AAK – “Nisma” kjo nuk çon peshë, madje këto parti nuk do të lëvizin nga “fronti kufitar”.
Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” nënkryetari i AAK-së, njëkohësisht deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj, sipas të cilit, nëse shkelet interesi kombëtar atëherë nuk kanë vlerë vizat.
Lekaj foli edhe për koalicionin parazgjedhor në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nismës për Kosovën”, për të cilin, tha se do të jetë koalicioni që do të fitojë në zgjedhjet e reja në Kosovë.
Ai thotë se bashkëpunimi me partinë e Fatmir Limajt është duke shkuar shumë mirë dhe se tani janë në përpilim të një strategjie të veçantë për rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”.
Ndërkohë duke folur për një dialog të mundshëm me Qeverinë apo rikthimin e tyre në Parlament, Lekaj ka thënë se këtë do ta bëjnë me vetëm një kusht. Që agjenda të ketë të vetmen pikë diskutimi: shkuarja në zgjedhje.
Nënkryetari i AAK-së ka folur për takimet me eurodeputetët në kuadër të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim.
Ai ka thënë se opozita asnjëherë nuk do të hezitojë të bashkëpunojë me këdo kur flitet për integrimet evropiane apo të mirën e qytetarëve.
Ndërsa, ka zbuluar se komisionari Hahn ka ardhur në Kosovë që të nisë një proces të bashkëpunimit në mes të pozitës dhe opozitës, i cili, sipas tij, mund të përfundojë vetëm në një mënyrë: zgjedhje të parakohshme. /Zëri/