Kryetari i Këshillit Kombëtar në Nismën për Kosovën, Jakup Krasniqi, në një shkrim të tij dërguar mediave edhe një herë e ka kundërshtuar kushtëzimin e BE-së për Kosovën, duke e vendosur demarkacionin me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave, pas rekomandimit që Komisioni Evropian dha për këtë çështje.
Krasniqi ka potencuar se marrëveshja e demarkacionit është një ndër më të dëmshmet që i është bërë Kosovës.
Ky është artikulli i plotë:
Pa e zgjatur po hyj menjëherë në temë.
Për gati gjysmë shekulli të konfrontimit ndërkombëtar të Botës së Lirë Perëndimore me Bllokun e shteteve totalitare të Lindjes, e drejta e njeriut për të lëvizur lirshëm qëndronte në themelet e vlerave të demokracive perëndimore. Me plotë të drejtë.
E dimë se çka ndodhi pas përmbysjeve të regjimeve që kishin përcaktuar strategjinë e izolimit të qytetarëve të vet. Në këtë shkrim nuk do të ndalem në këtë çështje. Ajo që më duket paradoksale ka të bëjë me faktin se flamurtarët e të drejtave dhe lirive të njeriut në demokracitë perëndimore ndryshuan qasjen ndaj lirisë së lëvizjes së lirë të qytetarëve të shteteve të Lindjes. Për qytetarët e shteteve që kishin qenë të izoluar me vendime të qeverive të veta u imponua regjimi i vizave si formë e re e vazhdimit të izolimit të tyre. Në përputhje me këtë strategji filluan t’u vënë kushte të ndryshme qeverive të shteteve përkatëse për të “liberalizuar regjimin e vizave” dhe për shkaqe të mospërmbushjes së kushteve të caktuara popujt mbetën të izoluar për gati dy dekada. Sidomos për qytetarët e Kosovës që ishin më të përvuajturit e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore. Jo vetëm që u la e fundit në këtë politikë evropiane por, që është edhe më e keqe se kaq, në kushtet për “liberalizimin e regjimit të vizave” Kosovës iu imponuan kushte që nuk iu imponua asnjë shteti tjetër: Kushtëzimi për të ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi!
Marrëveshja e lartpërmendur është njëra nga marrëveshjet më të dëmshme që i është bërë Kosovës, sepse përmes saj humben një pjesë e integritetit territorial të Kosovës. Së bashku me Marrëveshjen për ndarjen e sovranitetit të Kosovës përmes Zajednicës kjo marrëveshje qëndron në bazamentin e revoltës së qytetarëve të Kosovës dhe për muaj të tërë ka bllokuar vendin.
Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatave për Zgjerim, zotëri Johannes Hahn e di fare mirë se asnjë shtet tjetër nuk u kushtëzua si Kosova. Madje, ka edhe shtete, anëtare të BE-së, si shembulli i Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat ende nuk e kanë të përfunduar demarkacionin e vijës kufitare. Megjithate, këto dy shtet nuk i pengon aspak që të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe në kuadër të BE-së. Kosova ka marrëdhënie të mira fqinjësore me Malin e Zi dhe kam besim se mund të gjendet rruga më e drejtë për përcaktimin e kufijve aty ku kanë qenë para shpërbërjes së Federatës jugosllave.