Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se partia e saj është duke e shqyrtuar vendimin se kur do të kthehen deputetët e saj në Kuvend.
Sipas saj, ata do të jenë aty për të kundërshtuar fuqishëm Marrëveshjen për Përcaktimin e Kufirit me Malin e Zi dhe atë për Asociacionin e Komunave Serbe, shkruan Gazeta Tribuna.
Ajo ka paralajmëruar bashkërendim dhe rezistencë edhe të qytetarëve dhe deputetëve të pozitës për të kundërshtuar, siç ka thënë ajo, “rrezikun që i kanoset Kosovës”.
“Kryeministri tenton të sjellë në Kuvend këto dy marrëveshje të cilat kanë vdekur,” është shprehur Kadaj-Bujupi në Tribuna Channel.
Deputetja që së fundi ka braktisur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës për të kaluar në Vetëvendosje, ka thënë se VV nuk do të zgjedhë mjetet dhe mënyrat e kundërshtimit të marrëveshjeve, kurdo që ato do të përcillen në Kuvend.