Bujar Nishani padit Erion Veliajn, i kërkon 100 lekë dëmshpërblim

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka paditur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, për deklaratat e këtij të fundit në emisionin “Opinion”, ku e akuzonte kreun e shtetit për vjedhje.

Padia e Nishanit është regjistruar sot nën akuzën “Shkaktim dëmi” dhe vlera simbolike e padisë është 100 lekë. Arjana Liço është gjyqtarja që do të merret me çështjen në fjalë.

Në padi theksohet detyrimi i kryebashkiakut për dëmshpërblimin dhe përgënjeshtrimin e deklaratave të bëra në emision.

“Detyrimin e palës së paditur të më dëmshpërblejë për dëmin moral të pësuar prej cenimit të nderit dhe personalitetit, në vlerën 100 lekë. 2. Detyrimin e palës së paditur të përgënjeshtrojë deklaratat e bëra duke publikuar me shpenzimet e veta në emisionin ”Opinion” të TV Klan dhe mediat kombëtare vendimin e Gjykatës”.

Në një dalje publike më 17 maj, presidenti i kërkoi Veliajt përgënjeshtrimin e akuzave, sipas të cilit Nishani ka vjedhur pronën e kishës katolike në Elbasan. Duke iu referuar këtyre akuzave, Nishani kërkoi që prokuroria të nisë hetimet për të vërtetuar dhe identifikuar “hajdutin”.

Temat
LajmePërgjithshmeRajon

Të afërta