Ndërpritet seanca, mungojnë deputetët

Seanca e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pasi që nuk ka pasur deputetë të mjaftueshëm në sallë.

Në sesionin e pasdites kanë mbetur në sallë vetëm 57 deputetë. Me këtë rast kryesuesi i seancës Sabri Hamiti, tha se nuk mund të marrin asnjë vendim me këtë numër.

“Nuk mund të marrim vendime me 57 deputetë, andaj unë i lus shefat e grupeve parlamentare të artikulohen, a duan, kur duan ta vazhdojnë këtë mbledhje, a i sjellin 61 deputetë këtu”, tha Hamiti.

Shefi i Grupit Parlamentar, Adem Grabovci kërkoi që votimi të shtyhet për javën tjetër.

“Më vjen keq për kolegët e nderuar deputetë që nuk janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë. Kemi tre javë që nuk kemi pas seancë, e kemi obligim dhe përgjegjësi të marrim pjesë e të mundësojmë funksionim normal të Parlamentit të Kosovës. Duhet të bëjmë një zgjidhje. Të gjejmë një formë që deputetët që nuk marrin pjesë në votim, mos të kenë të drejtë të marrin mëditjet. Mendoj ta lëmë për javën e ardhshme votimin”, tha Grabovci.

Edhe shefi i GP të LDK-së, Ismet Beqiri tha se mospjesëmarrja e deputetëve në sallë është e pa kuptueshme.

“Është e pakuptueshme, nuk ka rëndësi se çka shkruan në dokumente, se ka pavarësi me qenë apo jo këtu, por mospjesëmarrja është papërgjegjësi totale. Mundemi që javën e ardhshme t’i votojmë këto pika që kanë mbetur”, tha Beqiri. /KP/

Temat
LajmeVend

Të afërta