Maturantët e shkollës teknike në Podujevë rrahin dy profesorë

Maturantët e shkollës së mesme teknike “Fan S.Noli”, pak ditë para përfundimit të vitit shkollor, kanë sulmuar dy profesorë të tyre, Milaim Sheholli dhe Jahir Dibrani.

Incidenti besohet të ketë ndodhur, pasi që profesorët u kanë vënë atyre nota të dobëta, gjë që i ka nxitur nxënësit që t’i sulmojnë ata, transmeton Indeksonline.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline edhe komandanti i stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Bislimi, i cili ka thënë se sipas hetimeve të deritanishme, sulmi ndaj profesorëve është bërë për shkak të notave që u kanë vënë maturantëve.

“Dje rreth orës 14:10 kemi pranuar një informatë se në oborr të shkollës së mesme teknike ‘Fan S.Noli’ ka pasur një incident mes disa nxënësve dhe mësimdhënësve. Njësia policore i është përgjigj rastit, ka shkuar në vend të ngjarjes, ndërkohë që nxënësit janë shoqëruar për në stacion policor, janë intervistuar, dy mësimdhënësve u është ofruar trajtimi mjekësor në qendrën emergjente në Podujevë dhe pas intervistimit në konsultim me prokurorin e shtetit, rasti ka shkuar në procedurë të rregullt”, ka thënë Bislimi.

Ai ka theksuar se rasti vlerësohet si lëndim i lehtë trupor dhe sulm, ku janë përfshirë një grup nxënësish dhe dy profesorë.

“Po pretendohet se rasti ka ndodhur pasi që mësimdhënësit u kanë vënë atyre nota të dobëta në fund të vitit shkollor”, ka theksuar Bislimi.

Edhe drejtoresha e shkollës “Fan S.Noli” Vlora Hajdini në një prononcim për Indeksonline ka sqaruar incidentin mes dy palëve. Ajo ka thënë se humbja e vitit ka qenë shkak për përleshjen.

“Nxënësit i kanë sulmuar dy profesor për shkak se e kanë humbur vitin. Nxënësit e përfshirë janë në klasën e 12, janë maturantë këtë vit. Profesorët janë sulmuar në oborr të shkollës, shkaku kryesor është se e kanë humbur vitin, mirëpo askush nuk mund me ia humb vitin kur nxënësit i kanë nga 12 nota të dobëta”, ka përfunduar Hajdini. /Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta