Presidenti Thaçi: Perspektiva evropiane nuk është më deklaratë, por kontratë me Bashkimin Evropian

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka marrë pjesë në hapjen e Konferencës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, e cila i dedikohej mundësive të reja që sjell ajo për zhvillimin ekonomik.

Presidenti Thaçi ka thënë se ky është vit evropian për Kosovën dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet qëllimi ynë me prioritet strategjik.

“Shteti i Kosovës mishëron vlerat evropiane dhe Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Kosovën. Ne jemi Evropë, nuk jemi më vend i izoluar”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe rekomandimit për liberalizim të vizave, perspektiva evropiane për Kosovën nuk është vetëm një deklaratë, por një kontratë.

“Marrëveshja për Stabilizim-Asociim është një marrëveshje për të ardhmen e shtetit tonë. Nën këtë mesazh sot bashkohemi të gjithë pa asnjë dallim. Ajo paraqet një mundësi për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës, sepse zgjeron marrëdhëniet tregtare ndërmjet BE-së dhe Kosovës me krijimin gradual të një zone të tregtisë së lirë”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se MSA do të ndikojë edhe në rritjen e besimit të investitorëve të huaj, sepse siguron një mjedis më të parashikueshëm për të bërë biznes.

Krahas aspektit ekonomik, presidenti Thaçi ka thënë se MSA-ja i jep rëndësi edhe bashkëpunimit rajonal dhe në këtë drejtim qëndrimi ynë si shtet është i qartë.

“Ne jemi përqendruar në bashkëpunim afatgjatë e dialog, si dhe në dobitë që do të krijohen për të gjitha shtetet në rajonin tonë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjithashtu, ai ka shtuar se bashkëpunimi midis institucioneve publike dhe shoqërisë civile duhet të forcohet edhe më shumë.

“Shoqëria civile duhet të jetë pjesë e procesit të zbatimit të MSA-së”, është shprehur presidenti Thaçi.

Me punën tonë, ai ka thënë se duhet ta rrisim besimin e qytetarëve tek shteti ynë.

Në konferencën për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në mes të BE-së dhe Kosovës, po marrin pjesë edhe Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, si dhe Presidenti i Këshillit Evropian të Investitorëve, Emmanuel Mitsou.

Si pjesë e kësaj konference, në mbështetje të zbatimit të MSA-së, gjatë ditës do të prezantohen edhe analiza dhe studime të ndryshme lidhur me reformat ekonomike, tregtinë dhe investimet në Kosovë.

Temat
LajmeVend

Të afërta