Lajme

PDK-AAK, drejt një koalicioni paszgjedhor

By Emanuel Demaj

May 17, 2016

Dy partitë politike që kanë reflektuar viteve të fundit, rivalitetin më të madh të urrejtjes ndërpartiake, AAK dhe PDK, duket se e kanë shkrirë “akullin”.

Largimi i Hashim Thaçit nga kreu i partisë dhe ardhja e Kadri Veselit, duket se ka “zbutur” Aleancën e Ramush Haradinajt, e cila po bën kalkulime që në zgjedhjet e ardhshme të krijohet një koalicion me partitë e luftës, shkruan “Zëri”.

Deri më tani, partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte vija të kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës, por që tani ka ndryshuar kurs, duke shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me partinë e Kadri Veselit.

Arsyeja pse AAK-ja ka hequr vijat e kuqe është ikja e Hashim Thaçit, që konsiderohej një politikan ngucakeq.

Se, një koalicion mes këtyre dy partive është i mundshëm e pranojnë edhe vetë zyrtarë të dy subjekteve politike, duke thënë se nuk është koha që të ketë vija të kuqe për atë apo këtë parti.

Ndonëse, partia e Haradinajt shprehet kundër koalicionit me PDK-në dhe LDK-në aktualisht, por nuk e ka mohuar këtë gjë pas zgjedhjeve, që ata po i kërkojnë të parakohshme. /Zëri/