Nëse caktohet mosha 55 vjeç e pensionimit, mbi njëmijë zyrtarë policorë do ta lënë detyrën

Gjatë muajit korrik të këtij viti do të fillojë ndalesa e mjeteve për fondin e sigurimeve shëndetësore, ku parashihet se nga paga bazë do të paguhet 7 për qind – 3.5 nga i punësuari dhe 3.5 nga punëdhënësi – është shprehur në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, nënkryetari i Sindikatës së Policisë, Shaban Tasholli.

“Sigurimin shëndetësor zyrtarët policor do ta kenë nga janari i vitit 2017”, ka deklaruar Tasholli.

Ai ka folur edhe për mos zbatimin e Ligjit të Policisë së Kosovës, duke thënë se aktualisht nuk ka fonde të mjaftueshme.

“Është caktuar një komision përkatës i cili është duke punuar intensivisht që gjatë vitit të ardhshëm të nis implementimi i Ligjit të Policisë”, ka thënë ai.

Me implementim të ligjit përfitojnë të gjithë zyrtarët policor. Aty parashihet që të paguhet edhe puna jashtë orarit dhe të paguhet puna në festat zyrtare, po ashtu të këtë ngritje të pagesave për ndërrim e natës. Problem mund të paraqitet në rast që mosha e pensionimit për zyrtarët policorë të mbetet ashtu siç janë dakorduar në komision – pra 55 vjeç.

“Jemi dakorduar që pensionimi i zyrtarëve policor të bëhet në moshën 55-vjeçare, me 60 për qind të pagës bruto, njëjtë siç e ka për shembull edhe FSK. Kjo ide ka shkuar në Ministri të Financave dhe tani kjo Ministri do të bisedojë me Qeverinë dhe më pas në kuvend do të vendoset”, ka deklaruar ai.

Nëse caktohet mosha 55 vjeç e pensionimit, atëherë sipas Tashollit automatikisht mbi njëmijë zyrtarë policorë do të lënë detyrën.

Temat
LajmeVend

Të afërta