Site icon first-channel tv, Prishtinë, Kosova

Dhjetë fakte interesante që duhet ti dini para fillimit të Euro 2016

Nga starti i Evropianit anit mungojnë 25 ditë, një eveniment i cili pritet me eufori të madhe, sidomos për francezët që e organizojnë, por edhe për kombëtaret e ashtuquajtura të vogla, si Shqipëria në këtë rast, të cilat do të kërkojnë të thyejnë shumë tabu dhe ta bëjnë më të bukur ëndrrën e tyre dhe atë të tifozërisë.

Por, për të njohur disi më mirë atë me të cilën skuadrat dhe tifozëritë do të përballen në Francë, ka menduar “Gazzetta dello Sport”, transmeton gazetapanorama, e cila nënvizon 10 fakte për t’u njohur para fillimit të Euro 2016.

Ndeshja më e kushtueshme?

Do të jetë Itali-Irlandë ndeshja më e kushtueshme e të gjitha grupeve, një lajm aspak i mirë për të gjithë ata tifozë italianë e irlandezë që po mendonin të ndiqnin takimin e tretë të grupit, i cili do të zhvillohet në Lilë. Të flesh në Lilë gjatë natës së ndeshjes do të kushtojë afro 814 euro, diçka stratosferike, duke menduar se ndeshjet e tjera, si debutimi me Belgjikën në Lion dhe takimi i dytë, me Suedinë në Tuluzë, do të kushtojnë respektivisht 470 dhe 226 euro.

Qyteti më i shtrenjtë?

Nga 10 qytetet që do të presin ndeshjet e Europianit, më i shtrenjti nuk do të jetë Parisi i Harkut të Triumfit i Shamp Elizes, apo i Kullës Eifel. Në vendin e parë të renditjes së qyteteve më të “kripura” qëndron Lila, në të cilin, për të fjetur një natë kushton mesatarisht 519 euro. Sikur të mos mjaftonte kjo, kësaj shifre duhet t’i shtosh edhe pagesën e taksisë, duke qenë se stadiumi “Pierre-Mauroy” është jashtë qytetit.

Qyteti më i përballueshëm?

Janë larg vetëm 27 kilometra, por mes Lilës dhe Lensit diferenca është kanionike, të paktën duke menduar për çmimet e hoteleve. Qyteti i “qymyrit” është më i përballueshmi ekonomikisht për tifozët, duke qenë se një natë në dhomë dyshe kushton mesatarisht 176 euro. Ndoshta, për këtë arsye, në këtë qytet janë programuar disa nga ndeshjet më pak të rëndësishme të turneut, si Shqipëri-Zvicër, Çeki-Turqi apo edhe Angli-Uells, përveçse një tjetër takimi të 1/ 8-ave të finaleve. Gjithsesi, një vit në Lens mund të jetë edhe një mundësi për të vizituar Muzeun e Luvrit dhe stacionin hekurudhor të stilit “Art Nouveau”.

Ndeshja më pak e kushtueshme?

Do të jetë Shqipëri-Zvicër, ndeshja e parë e grupit për këto dy skuadra, e cila do të luhet më 11 qershor, pikërisht në Lens. Dhe ky është një lajm i mirë, sidomos për shqiptarët, të cilët mund të kalojnë mbrëmjen pas emocioneve të takimit me një akomodim që nuk pritet t’i kalojë 134 eurot, për ata që kanë një biletë për sfidën. Dhe të mendosh se në fushë do të jenë shumë emra të njohur, si Shaqiri, Behrami e Xhemaili për zviceranët dhe Berisha, Hysaj e Memushaj. Jeni të sigurt se nuk ia vlen që të ndiqet kjo sfidë?!

Tifozët më të interesuar?

Pa asnjë dyshim, tifozët hungarezë. Kishin kaluar 44 vite nga hera e fundit që ata ishin kualifikuar në një Europian, pas “Belgjikë 1972”, ku arritën ta mbyllnin turneun të katërtit. Grupi i tyre do të jetë i zjarrtë, sepse përballë do të kenë Portugalinë, Austrinë dhe Islandën, por edhe pse nuk janë favoritët, atë mund të mbështeten te lojtari i tyre i 12-të, të cilët pritet të jenë të shumtë.

Tifozët më pak të interesuar?

Rusët. Nga të gjitha platformat e analizuara që lidhen me kërkesat e këtij populli për të qenë të pranishëm në Europian, ku kombëtarja e tyre do të jetë protagoniste, shifrat nënvizojnë se rusët janë më “të ftohtët” kundrejt një udhëtimi drejt Francës, për të ndjekur Europianin.

Më koprracët dhe dorëlëshuarit

Patriotizmi dhe kombëtarja janë diçka, por sondazhet tregojnë se ata që do të jenë më tepër të kursyer për të futur dorën e tyre në portofol, për të ndjekur një ndeshje të përfaqësueses së tyre, janë çekët. Këta nuk janë gati që të paguajnë më shumë se 265 euro në natë, në një dhomë dyshe, gjatë turneut francez. Ndërsa më dorëlëshuarit, ata që nuk e kanë problem të shpenzojnë paranë, janë zviceranët, të cilët janë gati të paguajnë minimalisht deri në 436 euro në natë.

Tifozët më optimistë?

Ndoshta do të jetë fakti se luajnë në shtëpi, por ndoshta edhe për fakti se cilësia e kombëtares së tyre është mjaft e madhe. Prandaj, nuk ka sesi të jetë ndryshe që tifozët më optimistë të këtij Europiani do të jenë të zotët e shtëpisë, francezët. Tani u takon lojtarëve të Deshampit që të mos zhgënjejnë parashikimet.

Sa japonezë në finale!

Pas francezëve dhe zviceranëve, më të interesuarit për të shijuar finalen e Europianit janë… japonezët. Edhe pse shteti i tyre është mijëra kilometra larg Europës, “Euro 2016” shihet si një eveniment që nuk duhet humbur këtë verë nga japonezët.

Italianët, tifozë nga divani

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur ishin italianët që nuk mungonin me koret e tyre në stadiume, tani e në vazhdim mësohuni me mungesën e tyre. Ata janë të 14-tët në renditjen e sportdashësve më të interesuar për të qenë në Francë dhe për të mbështetur kombëtaren e Antonio Kontes. Por, në të njëjtën kohë, italianët janë edhe më pesimistët për arritjen e mundshme në finale të përfaqësueses së tyre.

Exit mobile version