Behgjet Pacolli “rrëzohet” përsëri nga Gjykata Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme kërkesën e ish presidentit të Republikës, Behgjet Pacolli, për vlerësimin e kushtetutshmërisë për moszbatimin e rezolutës së Kuvendit të Kosovës së 7 prillit 2011.

Kjo rezolutë e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ka të bëjë me ndryshimet e amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionin e nevojshëm për zgjedhjen e Presidentit te Republikës së Kosovës, drejtpërdrejt nga qytetaret e Kosovës.

Rezoluta në fjalë ishte nxjerrë nga Kuvendi në mbështetje të Memorandumit të nënshkruar ndërmjet Behgjet Pacollit, Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, të lidhur me 6 prill 2011.

Në pikën 26 të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, shkruan se Pacolli kërkon që përfundimisht të vërtetojë shkeljet e lirive dhe te drejtave të tij dhe në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese të obligojë Kuvendin që të zbatojë Rezolutën NR. 04-R-02.

auto_vendimi-i-kushtetueses1463502626

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shpallur me 13 maj 2016
Kërkesa e tij konsiston që Gjykata Kushtetuese të obligojë Kuvendin e Kosovës të zbatojë procedurën e mëtutjeshme të votimit të amendamenteve të propozuara për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit, pa e paragjykuar rezultatin e votimit dhe duke respektuar mandatin e lire te deputeteve dhe parimet e tjera kushtetuese.

Por në Gjykata Kushtetuese në pikën 36 të saj, vëren se ndër të tjera, parashtruesi i kërkesës, në këtë rast, Behgjet Pacolli, vetëm ka numëruar dhe ka përshkruar dispozitat kushtetuese dhe ato të instrumenteve të tjera ndërkombëtare përkitazi me të drejtën për gjykim të drejtë, për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe për barazi para ligjit.

“…Mirëpo nuk ka arritur të arsyetojë se si janë shkelur ato dispozita”.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë me 13 maj. Behgjet Pacolli ishte për rreth një muaj, president i republikës në vitin 2011. Por mënyra e zgjedhjes së tij u vlerësua në kundërshtim me Kushtetutën.
Aktualisht ai është president i Aleancës Kosova e Re (AKR).

Temat
LajmeVend

Të afërta