Ministrja për Dialog, Edita Tahiri e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Tiranë, sot është takuar me Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, me të cilin biseduan për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve si dhe rritjen e angazhimeve të përbashkëta për forcimin bashkëpunimit mes dy vendeve, për integrimet euroatlantike dhe avancimin e gjitha çështjeve me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.
Tahiri tha gjatë takimit se të dyja vendet po dëshmojnë përkushtimin për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon, ku dialogu dhe bashkëpunimi janë bazë për këto procese.
Në veçanti ministrja Tahiri theksoi angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për arkitekturën e sigurisë dhe që Kosova ta bëjë ushtrinë e saj gjatë këtij viti si dhe përpjekjet për integrimin në NATO. Në vazhdim ajo potencoi se Kosova dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë të reformave të gjithanshme për forcimin e ligjit dhe zhvillimit ekonomik, ndërkohë që theksoi rëndësinë e bashkërendimit të agjendës reformatore dhe përkrahje më të madhe për shqiptarët etnik në rajon për të përmirësuar pozitën e tyre sipas standardeve ndërkombëtare.
Tutje ministrja Tahiri tha se vizioni euroatlantik për shtetin e Kosovës është një synim strategjik i Kosovës, dhe në këtë drejtim kemi bërë progres të madh do të thosha historik me Marrëveshjen e Stabilizim Asocim me BE-në dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e bërë ardhmërinë evropiane të qartë dhe të sigurt.
Ajo theksoi se Kosova po punon me intensitet për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB dhe rritjen e numrit të njohjeve dhe se partneriteti jonë strategjik me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në po i fuqizon këto procese.
Ministrja Tahiri tha se Kosova ka vlerësuar gjithnjë përkrahjen nga Shqipëria në të gjitha fazat e rëndësishme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe ne angazhohemi për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe fuqizimin e kombit shqiptar.
Ndërsa në anën tjetër, ministri Bushati vlerësoi progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe siguroi se Shqipëria mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat si dhe këmbimin e përvojave në fushën e reformave. Ai theksoi se lidhjet mes dy vendeve kanë për bazë orientimin euroatlantik dhe lidhjet kombëtare dhe këto synime do të punojmë që të avancohen edhe më shumë.
Në fund të takimit, të dy ministrat u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë si një proces që fuqizon të dyja vendet. Po ashtu u dakorduan që bashkërendimi për çështjet e interesit kombëtar të jetë i vazhdueshëm duke pasur një fokus zhvillimin dhe forcimin e dyja shteteve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe në veçanti për shqiptarët e luginës të Preshevës.
Ministrja Tahiri në këtë takim ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci këshilltar politikë të ministres Tahiri.