Lekaj: Pas llogaridhënieve për nënshkrimin e marrëveshjeve të dëmshme, mund të kthehemi në Kuvend

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek në mbledhjen e parë të Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim, iu ka drejtuar edhe opozitës duke i pyetur se çka duhet të ndodhë që ata të kthehen në Kuvend?!

Në lidhje me këtë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka folur për dy marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Kosovës që sipas opozitës janë të dëmshme.

“Qeveria vitin e kaluar nënshkroi dy marrëveshje në fund e krye të dëmshme për Kosovën, ajo për demarkacionin me Malin e Zi dhe ajo për asociacionin e komunave serbe. Ne jemi për decentralizimin e shtetit ku qytetarit i lejohen të jetë pjesë e vendimmarrjes. Veriu i Kosovës është vetëm një pjesë gjeografike e vendit por jo edhe pjesë funksionale e tij”, ka thënë Lekaj.

Ai ka thënë se si opozitë kanë kërkuar qysh në fillim shkarkimin e komisionit për shenjëzimin e kufirit me Malin e Zi, por pas demonstratave ndaj kësaj çështje kanë hasur vetëm me burgosje, keqtrajtime të deputetëve, të qytetarëve dhe krejt në fund kjo ka reflektuar me kapje të shtetit.

“Mosmiratimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i demarkacionit brenda kuvendit dhe me demonstrata në rrugë e bëri që reflektoj edhe Malin e Zi. Kërkojmë llogaridhënie për këtë proces në mënyrë që të kthehet normaliteti dhe dialogu në kuvend, përndryshe një gjë e tillë është ë pamundur”, ka thënë Lekaj./Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta