Vetëvendosje i fton gratë që t’i bashkohen

Vetëvendosje ka ftuar gratë që t’i bashkohen kësaj lëvizje në procesin zgjedhor të brendshëm.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka mbajtur një tubim me gra, ku i ka ftuar këto të fundit që t’i bashkohen kësaj lëvizje në procesin zgjedhor të brendshëm.

Ky është njoftimi i plotë i kësja lëvizje:

“Gratë duhet të angazhohen politikisht per ta ndryshuar raportin e pabarazisë në shoqëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! i fton ato që të bëhen pjesë e procesit zgjedhor të brendshëm i cili po ndodhë në Lëvizje. Këto u thanë gjatë tubimit me gra.

“Sot e kemi thirrur këtë takim sepse i kemi shpallë zgjedhjet e brendshme. Kjo është mundësi e mirë për demokratizimi i shoqërisë. Sa më shumë gra që angazhohen, mundësitë për një shoqëri më të barabartë, janë më të mëdha”, tha nënkryetarja e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Fatmire Kollçaku.

Ajo shtoi se vetëm një subjekt politik që i promovon politikat barazimtare përbdlrenda subjektit mund të flasë edhe për barazinë në shoqëri.

“Çdo grua sot është e mbingarkuar. Pavarësisht nësë është e punësuar ose jo, ajo është e angazhuar në shtëpi ose jashtë saj. Gruas duhet t’i hiqet barra e rëndë e punëve të shumta dhe kjo bëhet duke bërë politika publike”, shtoi nënkryetarja Kollçaku.

Ne nuk kemi dilema se a duhet të jetë gruaja e pranishme aty ku merren vendime të rëndësishme. Të gjitha vendimet politike e ndikojnë atë, ndaj ajo duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes.

Kurse nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti foli mbi historikun e angazhimit të grave e vajzave në Lëvizje. Ajo përmendi edhe emra të përveçëm të aktivisteve shembull.

“Teuta dhe Marigona, dy emra grash të shquara në histori, rastisi të jenë bashkohanike dhe u bënë shoqe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Ato iu bashkuan Lëvizjes, në kohën kur në tërë Kosovën kishim disa dhjetëra aktivistë. Aktivistët si Marigona dhe Teuta, u bënë boshti i Lëvizjes dhe shembulli më i mirë për aktivistët që erdhën më tej”.

Dërguti përmendi edhe aktivistet Alexanda Channer dhe Dejona Mihali të cilat kanë ardhur në Prishtinë duke lënë punët dhe angazhimet e mëparshme për t’u përqendruar me tërë kapacitetin e tyre në Lëvizje.

Për të arritur barazinë në vendimmarrje, pikënisja është angazhimi e kontributi i përbashkët.

Edhe Sekretarja e Gruas Aktiviste, Nazlie Bala i ka ftuar gratë që të jenë pjesë e procesit zgjedhor të Lëvizjes VETËVENDOSJE!

“Gratë dhe vajzat janë pjesë e barabartë e politikës. Të votosh është një lejekalim për sferën publike. Ne duhet të luftojmë e punojmë më shumë për barazi”, tha Bala. Ajo theksoi më tej, se kjo punë nuk i takon vetëm një grupi të shoqërisë.

“Po nuk patëm përfshirje të madhe të grave e vajzave, nuk mund të bëjmë ndryshime në shoqëri. Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vendosur për ndryshime të mëdha dhe kjo është e mundur vetëm me angazhimin e madh të grave e vajzave.”

Temat
LajmeVend

Të afërta