Pastrohet sheshi pas protestës

Protesta me moton “Për shtet me dinjitet” e thirrur nga AAK dhe Nisma ka përfunduar e qetë, kurse protestuesit janë shpërndarë.

Protestuesit me thirrje të shumta kundër qeverisë, “Me hajna, me hajna, nuk ka shtet”, “Isa, Hasha, Esat Pasha”, e të tjera, janë shpërndarë nga sheshi qendror i Prishtinës pas fjalimit të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Krerët e partive opozitare, në fjalimet e tyre në skenë, kanë kritikuar qeverinë dhe vendimet e saja në lidhje me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe atë të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, raporton Koha.net.

Ata kanë thënë se zgjidhja e vetme e kësaj gjendjeje janë zgjedhjet e parakohshme përmes së cilave kanë thënë se qytetari do të jetë ai që do të qeveris me vendin.

Vlen të theksohet se në këtë protestë nuk ka marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje, e cila vetëm një ditë pas paralajmërimit të kësaj proteste, i ishte ndarë bllokut opozitar.

Ka nisur edhe pastrimi i sheshit ‘Skënderbe’ nga kompania e pastrimit e kontraktuar nga Komuna e Prishtinës.

Shihet që shumë nga pankartat janë gjuajtur në tokë, menjëherë pas përfundimit të protestës.

Përndryshe protesta ka përfunduar pa asnjë incident të shënuar deri tash, edhe pse numri i pjesëmarrësve ishte me mijëra.

Temat
LajmeVend

Të afërta