Gazetari anglez tregon fytyrën e vërtetë të Vuçiqit, në raport me Kosovën

Gazetari anglez Robert Fisk në një shkrim të tij në “Independent”, ka sjellë fakte nga rrëfimet, dokumentet dhe shënimet që kishte nga vitet ’90-të për situatën në Ballkan.

Në këto shënime dhe dokumente ai ka tentuar të vë në pah politikën serbe të cilën e ka kryeministri i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gazetari Fisk përmend një fakt se Vuçiq së bashku me shokun e tij të vjetër Vojisllav Sheshel, nga Iraku i diktatorit Sadam Hussein dënonin ashpër agresionin amerikan ndaj Irakut dhe Serbisë. Madje, kishin shkëmbyer telegrame urimi për spastrimin etnik që Serbia po e kryente në Bosnjë dhe Kosovë.

“Po të më pyesni për kombësinë time, do t’u thosha se jam evropian. Jo britanik. Por ka momente kur pyes veten nëse Bashkimi Evropian nuk i kushton shumë rëndësi disa njerëzve të neveritshëm”, ka shkruar ai.

“Në arkivin tim, kam qindra faqe shënime, dokumente dhe raporte nga Lindja e Mesme për këto 40 vjetët e fundit. Disa prej këtyre raporteve kanë të bëjnë edhe me luftën në Bosnjë. Para vetes kam një shënim të cilin e kam shkuar para 18-vjetësh kur isha në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës – ende pjesë e Serbisë – një pjesë e madhe e kontrolluar nga policia paramilitare serbe dhe një pjesë tjetër e kontrolluar nga e ashtuquajtura Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, përmend ai shënimet e fundviteve ’90, transmeton Koha.net.

Fisk shkruan se për herë të parë Vuçiqin e kishte takuar kah mesi i vitit 1998. Anglezi e përshkruan kryeministrin serb si një djalosh të sjellshëm por shumë të rrezikshëm. Vuçiq në atë kohë kishte tentuar t’i bindte gazetarët ndërkombëtarë se shefi i tij i atëhershëm, Sllobodan Millosheviq dëshironte paqe për shqiptarët në Kosovë.

“Nga kryeqyteti serb, Beograd, më 18 qershor 1998 shfaqet i riu i sjellshëm dhe i rrezikshëm. Pa sherr i referohesha ‘fytyrës së tij të pafajshme, buzëve të holla dhe buzëqeshjes së shpejtë’ derisa ai tentonte të na bindte ne gazetarëve se krejt çka donte diktatori Sllobodan Millosheviq në Kosovë ishte paqja, dialogu dhe të drejtat e njeriut për të gjithë, përfshirë 90 për qind të popullatës shqiptare. Asnjë fjalë nuk e thoshte për kundërshtimin e Serbisë për autonominë e Kosovës që ishte kërkuar nëntë vjet më parë”, kujton Fisk.

“Duke e ditur se ai ishte ministër i informimit për Millosheviqin dhe jo shumë kohë më parë zëdhënës i Vojsllav Sheshel, lider i milicisë serbe që bëri spastrim etnik në Bosnjë dhe i cili kishte lavdëruar ushtarët e vet për “nxjerrjen me rrënjë” të syve të kroatëve, ne nuk prisnim që ky xhentëlmen me këpucë të lustruara të fliste shumë për spastrimin etnik”, kujton më tej gazetari anglez.

“A ishte në dijeni ministri, e pyeta unë, se një pjesë e madhe e Kosovës ishte nën kontroll të UÇK-së?”.

“Ky është një justifikim i mirë për prezencën e forcave qeveritare [të Serbisë] në këtë territor”, u përgjigj ai. Dhe se nuk kishte arsye që të bëhen krahasime me Bosnjën – këtu të gjithë mbajtëm frymën – me ‘fjalorin e situatës në Srebrenicë’”, kujton përgjigjen e Vuçiqit gazetari anglez.

Fisk shkruan se gjatë tërë konferencës për medie, Vuçiq tentonte që t’i shmangej fjalëve si masakër, dhunim, grabitje. Tërë këto po i kryente ushtria serbe mbi popullatën e pafajshme në Bosnjë.

“Problemi i ‘fjalorit’ ishin fjalët si masakër, dhunim, grabitje, krimin më të rëndë të luftës në Evropë që prej vitit 1945. Fjala ‘situatë’ doli nga buzët e Vuçiqit, shprehje kjo frikacake për ekzekutimin e më shumë se 8 mijë myslimanëve që u futën në varre masive pas rrethimit të vitit 1995”, shkruan Fisk.

“‘Fjalorin e situatës në Srebernicë’ po e dëgjonim përsëri tre vjet pas kasaphanës, ne britanikët që dëgjonim ligjërata për detyra civile, të drejta kushtetuese, patriotizëm dhe paqe. Kur ai përmendi Srebrenicën, pa pikë emocioni në propagandën e tij, ishte sikur të gjeje një copë xhami në çokollatë, pak horror të varrosur nëpër fjalët e tij të buta”, thotë më tej gazetari i Independent.

“Por pse befasoheshim ne, përsëri, pas më shumë se tre vjetësh ai doli në konferencë për medie në Prishtinë- për të gjetur të njëjtin djalosh që shoqëronte përbindëshin Vojisllav Sheshel në Bagdad si mysafir për ahengun Ba’ath të diktatorit Saddam Hussein?”

“Shesheli zhvilloi një takim të gjatë me Saddamin – Iraku në atë kohë përballej me sanksionet dhjetëvjeçare shkaku i pushtimit të Kuvajtit në vitin 1990. Pasi aterroi në aeroportin e Damaskut në Siri dhe u shoqërua nga eskorta siriane dhe irakiane, ai nisi udhëtimin për në Bagdad”.

“Por tani do të prezantoj djalosh ambicioz, shefi i të cilës ishte mirëpritur në njërën nga vilat e Saddamit dhe i ishte bashkuar diktatorit irakian për të dënuar agresionin amerikan. Po, ish-ministri i informimit të Millosheviqit – i cili e dinte mirë se Sadami kishte shkëmbyer telegrame për të përkrahur Millosheviqin në vitin 1998 për luftën në Kosovë, ku serbët, nën sulmet ajrore të NATO-s, po largonin 200 mijë myslimanë nga Kosova- tani është hiç më shumë se kryeministër i Serbisë”.

“Ky njeri është Aleksander Vuçiq, i cili dëshiron ta shpie Serbinë në Bashkimin Evropian dhe ky është i përkëdheluri nga kolegët tanë në Bruksel dhe tani ai këshillohet nga Tony Blair. Prejse Blairi këshilloi diktatorin e Uzbekistanit, liderin egjiptian, brigadierin al-Sissi, Vuçiqi është në shoqëri të mirë”.

“Duart e sigurta, ngrohtësisht përshëndeteshin këto ditë në Downing Street dhe Bruksel, jo vetëm si një djalosh, por vendimet e një burri, që bëri kompromis për rezolutën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke mos përmendur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare se pavarësia e Kosovës ishte legale- përshëndeteshin nga elita në Bruksel si ‘arritje e madhe’. Tërë kjo ia mundëson Beogradit që të bëjë kërkesë për anëtarësim në BE. Të bekuar janë paqeruajtësit”.

“Vuçiqi, natyrisht, po bën gjërat e duhura. Ai tani drejton partinë progresive serbe, përkrahet pafundësisht nga shoku i tij i vjetër Shesheli, i cili doli i pafajshëm për krimet në Bosnjë, pas tetë vjet burgimi në Hagë. Vuçiq madje vizitoi memorialin në Srebrenicë, ku Bill Clintoni kishte kërkuar nga familjarët e viktimave që t’ia zgjatnin dorën”.

“Vuçiqi la lule në varrezë, por boshnjakët myslimanë, patën kujtesë më të gjatë sesa gojëmjaltët e BE-së. Ata kujtuan fjalimin e Vuçiqit gjatë kohës së luftës kur kishte thënë se ‘për çdo serb të vrarë, ne do të vrasim 100 myslimanë’- për këtë ata e sulmuan me gurë dhe shishe”.

“Ditë më parë, fatkeqi Vuçiq kërkoi nga Rusia që ta bllokonte rezolutën e Kombeve të Bashkuara, e cila dënonte masakrën në Srebrenicë si gjenocid, akt që BE-ja e injoroi, por i acaroi boshnjakët myslimanë. Duke parë shënimet e mia të vjetra nga viti 1998, të gjitha tani kanë kuptim”.

“Ishte i njëjti problem i vjetër: vështirësia e Vuçiqit, përkundër luleve, çdo gjë lidhej me ‘fjalorin për situatën në Srebrenicë’. Masakër, po; gjenocid, jo. Mos u brengosni. Lord Blairi, burri që bombardoi Serbinë për spastrim të myslimanëve në Kosovë – është duke ia pastruar rrugën të madhit Aleksander Vuçiq, i cili po e shpie vendin e tij drejtë shteteve evropiane. Rrofshin miqtë si ai”.

Temat
LajmeVend

Të afërta