Samuel Zhbogarit në Kosovë deri me 31 gusht

Vetëm edhe dhjetë javë mandat i kanë mbetur sllovenit Samuel Zhbogar si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë.

Me 31 gusht, atij i skadon mandati të cilin ia pati dhënë ish përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Zhbogar erdhi në Kosovë më 21 dhjetor 2011 si udhëheqës i zyrës së BE-së në Kosovë emëruar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, ndërsa si Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian në Kosovë me 25 janar 2012, me vendimin e Këshillit të BE-së.

Mandati i Samuel Zhbogar si shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, përfundon më 31 gusht 2016. Këtë e konfirmon për lajmi.net edhe zyra për informim e BE-së në Kosovë.

Por kjo zyrë nuk është ën gjendje të japë më shumë shpjegime se kush do ta pasojë Zhbogarin në këtë detyrë, apo nëse ai do të ketë edhe një mandate të dytë.

“Lajmin për vendimin në lidhje me pasardhësin e tij e bën Federica Mogherini”, thotë për lajmi.net, zyra për informim e BE-së në Kosovë.

Samuel Zhbogar si përfaqësues i BE-së në Kosovë, solli disa lajme të mira për vendin, ndonëse në pjesën më të madhe të kohës ai vetëm ka përcjellë qëndrimet më shumë neutrale të BE-së.

Gjatë mandatit të tij si përfaqësues i BE-së, Kosova ka marrë rekomandimin për liberalizim të vizave si dhe ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asociimit.

Temat
LajmeVend

Të afërta