Në pjesën e tretë të emisionit “Top Story” të kësaj të enjteje, përballë gazetarit Sokol Balla ishte ulur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një prej partive më të zëshme opozitare në Kosovë, e cila është në prag të mbajtjes së një proteste tepër masive këtë të shtunë në Prishtinë.
Pas një jave me zhvillime tepër të rëndësishme në Tiranë, si pasojë e Reformës në Drejtësi, zhvillime po kaq të rëndësishme priten të ndodhin në Kosovë, ku opozita pritet të mbajë një protestë.
Ramush Haradinaj e ka nisur bisedën duke folur në lidhje me mandatin e deputetit, që për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë është detyruar ta dorëzojë 3 herë gjatë karrierës së tij politike, e fundit prej tyre para zgjedhjes së Hashim Thaçit president. Të shtunën, së bashku me partinë tjetër opozitare të Fatmir Limajt, opozita do të zhvillojë një protestë për shkak se “zoti Thaçi ka përforcuar pozitën e tij në pushtet”, siç tha Haradinaj.
“Ne kemi krijuar një forcë jashtëinstitucionale, që ka pjesëmarrjen edhe të qytetarëve, shoqërisë civile, medieve dhe shumë të tjerëve, gjë që u tregua e suksesshme në protestën e parë të zhvilluar. Na ndodhi një thyerje brenda opozitës, – shtoi më tej Haradinaj, duke iu referuar largimit të Vetëvendosjes, – por barrikadimi i pushtetit ndaj opozitës ende vijon”.
Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi dhe ngritjes së “Zajednicës”, apo Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Haradinaj tha se këto janë çështje që kanë nxitur reagimin e shumëkujt, jo vetëm disave në politikë. Një shqetësim që sipas Haradinajt është ngritur njëkohësisht nga AAK, VV dhe Nisma; pavarësisht se shprehet i habitur për largimin e Vetëvendosjes, që ai thotë se gjatë rritjes së kundërshtimit opozitar ka pasur paqartësi se kush do të ishte në krye të këtij kundërshtimi apo presioni qytetar. “Ishin disa thyerje mbi menaxhimin e mëtutjeshëm të kësaj proteste mbarëpopullore”, tha Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka bërë të ditur se vazhdimi i kundërshtimit duhej të kishte vazhduar në rrugë paqësore, ndërsa sipas tij, Vetëvendosja preferonte edhe metoda radikale apo disi më të ashpra. “Ekziston një rrezik potencial që banorët e zonës së diskutueshme mund të mbrohen edhe vet, në rast se çështja nuk zgjidhet në mënyrë politike dhe përmes dialogut me Malin e Zi”, thotë Haradinaj, i cili shpreh gatishmërinë e tij për të diskutuar me të gjitha palët, përfshi malazezët, për të përcaktuar kufirin aty ku duhet dhe jo ku pretendohet.
Problemi i opozitës me versionin e qeverisë është se kufiri nuk duhet vendosur në brendi të Rugovës, por në hyrje të saj. Me këtë Haradinaj pretendon se nuk duhet ndarë ky rajon i Kosovës. Gabimi faktik është bërë nga komisioni qeveritar, i cili është firmosur më pas nga Thaçi, që sipas Haradinajt nga frika se mos gjendet fajtor, po përpiqet të barrikadojë të gjithë mundësitë e opozitës për të kundërshtuar.
Sa i përket votave në Kuvend, Haradinaj thotë se qeveria ka çështje shumë më të rëndësishme sesa demarkacioni, apo marrëveshje të tjera të dëmshme për Kosovën. “Ata duhet të merren me avancimin e çështjes së Mitrovicës apo komunave të tjera veriore; duhet të merren më shumë me zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit dhe votat t’i shfrytëzojnë për gjëra të tjera”, tha Haradinaj. Sipas tij, e rëndësishme është që pavarësisht pengesave, të mund të reagohet ndaj qeverisë dhe të protestohet.
Në këtë diskutim nuk mund të mos shpëtonte edhe çështja e bashkimit kombëtar, apo mbetja në dy shtete të ndara shqiptare siç jemi sot. Për këtë, Haradinaj është shprehur se, pavarësisht që shumica e kosovarëve kanë ëndërruar dhe gëzonin gjithnjë kur Shqipëria ishte mirë dhe kur Shqipëria bënte përmirësime, tashmë është koha që nëpërmjet përforcimit të shtetësisë së Kosovës të mund të ndihmohen edhe shqiptarët e tjerë në Luginën e Preshevës. Me anë të forcimit të Kosovës, thjesht sa forcohet pjesa tjetër e Shqipërisë, thotë ai.
Marrëveshjet në fakt janë mbështetur nga ndërkombëtarët, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, por sipas Haradinajt, aleatët ndërkombëtarë nuk kanë probleme për protestat dhe kundërshtitë e opozitës në vetvete, por më shumë kapen për metodat me të cilat këto marrëveshje kontestohen. Gjithsesi, përmbajtja e tyre duhet analizuar në mënyrë profesionale dhe jo të bihet prè e presioneve të Serbisë, duke i bërë nder Beogradit zyrtar me të tilla marrëveshje.
Kosova është shumë pranë anëtarësimit në FIFA, pasi ka siguruar anëtarësimin në UEFA dhe pas heqjes së vizave për qytetarët kosovarë për udhëtimet drejt vendeve të zonës “Schengen”, por pse opozita atëherë e ka inatin me qeverinë aktuale “të korruptuar dhe që nënshkruan marrëveshje negative për Kosovën”, për sa kohë që shumica e kosovarëve i voton këta? Dhe çfarë pritet të ofrojë opozita e re kosovare për qytetarët e saj?
“Ajo që ofrojmë ne është një fillim i ri për Kosovën, duke kthyer balancën shoqërore në vend, shtrirjen e juridiksionit në veri dhe përmirësimin e ekonomisë”, tha Ramush Haradinaj. Sa i përket zgjedhjes së Thaçit president, kreu i AAK-së e cilëson si kulmin e procesit negativ, fatura e së cilës do t’i vijë shumë shpejt demokracisë së Kosovës. E pavarësisht ftesës së tij për opozitën, për një mënyrë të re diskutimesh për arritjen e një zgjidhjeje të ngërçit politik, Haradinaj thotë se nuk beson se mund të zgjidhet gjë. Ai është i zgjedhur nga populli dhe do të vazhdojë të kryejë atë funksion, por sipas Haradinajt, ai nuk i plotëson kushtet e nevojshme për atë rol tepër të rëndësishëm.
Kosova nuk e ka luksin e politikanëve që kanë në plan të parë veten, thotë Haradinaj, pasi kjo po e rëndon edhe më shumë jetën e qytetarëve në Kosovë. Për ndërhyrjet e politikanëve shqiptarë në punët e Kosovës, Haradinaj thotë se mirëpret çdo interesim të Shqipërisë, ndoshta edhe më të madh, pavarësisht se partneriteti i dy qeverive varet jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe nga qeveria e Kosovës. E këtu përmendi mosrakordimin në kohën e duhur të dy palëve në rastin e dështimit të futjes së Kosovës në UNESCO.
Në fund është folur edhe mbi fqinjësinë me Serbinë. Sipas tij, Beogradi po tallet me Kosovën dhe diskutimet në Bruksel duhet të ndryshojnë format, pasi gjithçka duhet bërë në rrethana të barabarta dhe s’ka pse shqiptarët të jenë inferiorë ndaj serbëve. “Ne jemi në të drejtën tonë, jemi më të shumtë se ata në rajon, madje ne nuk u kemi asgjë borxh. Përkundrazi, janë ata që na kanë borxhe neve, ndaj dhe s’ka pse ne të veprojmë si inferiorë ndaj tyre”, tha Haradinaj. Haradinaj tha se qeveritarët kosovarë kanë probleme me imazhin e tyre personal dhe nuk përpiqen të kujdesen për imazhin e Kosovës, qoftë në arenën globale, ashtu edhe në rajon me fqinjët veriorë. Megjithatë, Haradinaj thotë se qytetarët janë racionalë dhe shpresojnë tek e ardhmja më e mirë për të gjithë, por nuk mund të bëhen gjërat sa hap e mbyll sytë, por duke krijuar forcën që do të sjellë ndryshimin e që do të punojë për prosperitetin dhe integrimin e Kosovës drejt Europës.
Fillimi i ri për Kosovën nis nga shpallja e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Haradinaj thotë se nuk mendon postin e kryeministrit, por ardhjen e një alternative të re nga opozita e sotme. Jemi në diskutime me të gjitha partitë opozitare dhe besoj se do të arrijmë në një konkluzion të përbashkët. Mospërfaqësimi i duhur i qytetarëve në politikë është një problem i rëndësishëm në Kosovë, tha Haradinaj, por pikërisht edhe për këtë kërkohet ndryshimi në vend.
Në një hipotezë fitoreje të opozitës së sotme në zgjedhjet e parakohshme kosovare, çfarë do të bënte Ramush Haradinaj nëse do t’i duhej t’i shtrinte dorën njërit prej dy aleatëve në pushtet, Hashim Thaçit apo Isa Mustafës, për të krijuar qeveri, kreu i AAK-së tha se ka marrë disa herë propozime për të kaluar në pushtet, por ai nuk preferon të hyjë në qeveri për të ruajtur këtë gjendje aktuale në Kosovë. Ai shtoi se dëshiron dhe po punon fort me të gjitha palët në opozitë që të mund të krijojnë një alternativë që do të jetë fituese e zgjedhjeve dhe, në rastin më të keq, të jetë Haradinaj në rolin e kërkuesit për formim koalicioni e jo të tjerët me oferta ndaj tij. /Top Channel/