Glauk Konjufca ia zgjat Kadri Veselit dorën e bashkëpunimit, por ka një kusht!

I ftuar në intervistën “Saktë”, udhëheqësi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Glauk Konjufca ka ripërsëritur qëndrimet se Lëvizja Vetëvendosje! do të kundërshtojë marrëveshjen e qeverisë së Kosovës të arritura me qeverinë e Serbisë.

Ai i ka quajtur pikëlluese deklarimet e BE – së se marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve midis palëve nuk mund të korrigjohen, por duhet të vihen në zbatim.
“Këta Kosovën e shohin vetëm si një object, si një qelim i kuq që i shtrohet Serbisë për integrime më të shpejta evropiane, por nuk kanë fort konsideratë për shtetin tonë, për republikën tonë, për mënyrën se si është ndërtuar kjo republikë. Dhe atyre nuk iu intereson nëse i kanë shkelur themelet e këtij shtetit marrëveshja e cila është arritur me Serbinë. Mjafton që janë pajtuar Isa Mustafa dhe Aleksandër Vuçiçi”, ka deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se përfitimet e Kosovës nga ky proces kanë pasur një çmim të lartë, pavarësisht se së shpejti është paralajmëruar rekomandimi për lëvizje të lirë, respektivisht liberalizimi i vizave për Kosovën.

“Serbia nuk ka lëshuar pe për asgjë. Dmth, ka fituar. “Zajednica” është një farë fitore e Serbisë në kuptimin se asaj po i ofrohen ingirenca në Kosovë. Është një farë ndarje e pushtetit në Kosovë brenda Komunave me shumicë serbe. Në anën tjetër, Kosova po duhet të jep diçka që nuk ka qenë kusht edhe për të tjerët”, ka thënë Konjufca.

Sa i përket zhbërjes së marrëveshjeve me Serbinë, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk zgjedh midis partnerëve të “korruptuar” apo “të pakorruptuar”.

”Kundër “Zajednicës” nuk zgjedhi partner të korruptuar apo të pakorruptuar. Edhe me Kadri Veselin do të bashkëpunoja për ta ndalë “Zajednicën” nëse ai është për ta ndalë. Bile nëse ai do të ishte për me e ndalë, ajo do të ndalej shumë kollaj sepse përfaqëson subjektin politik më të madh në Kosovë. Ndalja e “Zajednicës” është interes bazik i Kosovës, do të bashkëpunoja me këdo që është e mundshme për ta ndalur sepse ky është projekt i Serbisë. Atëherë çka na duhen neve edhe betejat politike me njëri tjetrin nëse ne pas 10 viteve do ta humbim një pjesë të Kosovës dhe ndahet Kosova në mënyrë etnike”, ka thënë Konjufca për sakte.net

Ai ka thënë se kundërshtimet e Vetëvendosjes! me PDK – në kanë qenë për shkak se ata kanë ndjekur këtë kurs politik. Konjufca ka deklaruar se nëse udhëheqësit e PDK – së do t’i ndërprisnin negociatat me Serbinë, nëse do ta vendosnin sovranitetin e Kosovës, nëse do të ndikonin në zhvillimin ekonomik dhe, sipas tij, nuk do të ishin në krye të një rrjeti që ka bërë krim të organizuar në Kosovë, ata nuk do t’i kishin si subjekte këto kundërshti të skajshme politike./Saktë.net

Temat
LajmeVend

Të afërta