Xhihadisti shqiptar Çëndrim R. mund të dënohet me 285 vjet burg

Çëndrim Ramadani, i riu shqiptar i rritur në Zvicër, i akuzuar për terrorizëm islamik, mund të dënohet nga një gjykatë turke me katër herë me burg të përjetshëm ose me 285 vjet burg, shkruajnë mediat turke, dhe ato zvicerane!

Këtë masë ndëshkuese e ka kërkuar të mërkurën prokuroria në qytetin turk Nigde për terroristin me prejardhje nga Kosova, transmeton albinfo.ch.

Si mbështetës i Shtetit Islamik (ISIS), Çëndrim Ramadani në mars të vitit 2014 së bashku me dy xhihadistë tjerë kishte vrarë në pritë në Turqi, në regjionin që kufizohet me Sirinë, tre persona, gjegjësisht dy policë dhe një civil.

Sipas gazetës turke “Hürriyet”, gjatë gjithë procesit gjyqësor xhihadisti shqiptar ka heshtur. Procesin e kanë ndjekur edhe të afërmit e personave të vrarë.

Personi në fjalë është rritur në Brugg të Kantonit Aargau të Zvicrës, përcjell albinfo.ch. Ai pastaj, si delikuent është dëbuar nga Zvicra ndërsa në Siri ka shkuar pasi që një kohë ka jetuar në Maqedoni.

(Mediat zvicerane e shkruajnë emrin shqiptar Qëndrim me Ç, pasi që emri i personit në fjalë është i regjistruar zyrtarisht kështu. v.j.)
albinfo.ch

Temat
LajmeVend

Të afërta