Qytetarët informohen për zemrën e lodhur

Në Javën e sëmundjes së pamjaftueshmërisë së zemrës, e cila shënohet në nivel të Shoqatës evropiane të kardiologëve, Shoqata e Kardiologëve të Kosovës dhe Klinika e Kardiologjisë, po i informojnë qytetarët për pamjaftueshmërinë e zemrës.

E sensibilizimi i qytetarëve për këtë sëmundje, po bëhet në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku ata po informohen për simptomat që tregojnë për një zemër të lodhur.

Drejtori i Klinikës së Kardiologjisë Gani Bajraktari thotë se pamjaftueshmëria e zemrës, është një nga sëmundjet më të shpeshta dhe vrasësi më i shpeshtë i njerëzimit në botë dhe se për këtë arsye, Shoqata e kardiologëve, Klinika e Kardiologjisë, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës, ka organizuar javën e ndërgjegjësimit të popullatës lidhur me këtë sëmundje.

“Konsiderojmë se është në duart e vet qytetarëve që të parandalojmë këtë sëmundje. Pra motivacioni kryesor është parandalimi i insuficiencës kardiake, ose pamjaftueshmërisë së zemrës, tek e cila qojnë pothuajse të gjitha sëmundjet e zemrës, të cilat nuk mjekohen me kohë, ose jo korrekt. Si dhe ndërgjegjësimi edhe i sëmurëve me pamjaftueshmëri të zemrës, për të treguar se të qenurit sot në këtë shekull me këtë sëmundje, nuk është fundi i botës. Sepse studimet në vendet e zhvilluara të Evropës, kanë treguar se mjekimi që sot bëhet ka rritur ndjeshëm jetëgjatësinë. Përderisa në fund shekullin e kaluar jetëgjatësia mesatare 3 deri në 5 vjet për këtë sëmundje, sot jetëgjatësia mesatare është mbi dhjetë vjet dhe ne kemi pacient që trajtojmë dhe me dekada në qoftë se ata i përmbahen rregullave dhe mjekimit adekuat, që sot në Kosovë konsiderojmë që bëhet në nivel jashtëzakonisht të kënaqshëm”, tha Bajraktari.

Ndërsa, thotë se qytetarët nuk janë të informuar sa duhet për simptomat e sëmundjeve të zemrës.

“Konsiderojmë që nuk janë shumë të mirë të informuar dhe pikërisht për këtë arsye ne në kuadër të një hulumtimi, ankete që ka ndërmarrë Shoqata evropiane e Kardiologjisë, pjesë e kësaj ankete dhe ne po e testojmë këtu dhe në qytetet tjera popullatën së në ç’masë ata dinë për simptoma. Ne do të kemi rezultatet, të cilat realisht nuk janë shumë të kënaqshme edhe në vendet me të zhvilluara, sepse njerëzit në kohen moderne për fat të keq nuk i kushtojnë kujdes të mjaftueshëm vetes së tyre”, tha ai.

Ndërsa Valton Besimi, specializant në vitin e katërt në Klinikën e Kardiologjisë, i cili i informonte qytetarët për pamjaftueshmërinë e zemrës thotë se qytetarët kanë një nivel të kënaqshëm të informimit, por duhet të punohet dhe me tepër, për t’i sensibilizuar.

“Në nivel të kënaqshëm, duke pasur parasysh që jetojmë sot në një botë shumë të vogël virtuale, e cila i ka ofruar shumë gjëra. Edhe pacientët 80 vjeçar e dinin për çka po i pyes. Ka pasur aty prej përgjigjeve që ndoshta bashkëshortja ka qenë me pamjaftueshmëri, ata i dinin me terapi me të gjitha. Niveli është i kënaqshëm. Ka edhe të tillë që nuk mund ta bëjnë dallimin mes infarktit dhe pamjaftueshmërisë në pyetje direkte është fjala. Mirëpo shumë shpejtë konsolidohen në përgjigjen e tyre”, thotë ai.

E qytetarja Vlora Rashiti, e cila u informua për simptomat e zemrës së lodhur thotë se qytetarët kanë nevojë për më shumë informim rreth simptomave të një zemre të lodhur.

“Pak a shumë po ma merr mendja që po, jemi të informuar edhe i mora informatat.. Lodhja frymëmarrja. Ma merr mendja që po, sepse kemi shumë raste të tilla dhe kemi nevojë për informim…ma merr mendja që pak, s’është e mjaftueshme. Mësuam për zemrën çka duhet, çka ka nevojë, frymëmarrjen”, tha Rashiti.

Ndryshe, u tha se për shkak të përmirësimit të cilësisë së jetës dhe për shkak të rritjes së jetëgjatësisë në vendet e zhvilluara, shkalla e sëmundjes nga pamjaftueshmëria e zemrës, është në rritje e sipër.

Konsiderohet se në SHBA një në pesë qytetarë, janë të sëmurë ose priten të sëmuren nga pamjaftueshmëria e zemrës dhe se kjo është një pandemi shqetësuese, për të gjitha vendet e zhvilluara.

Temat
Shëndet

Të afërta