Grupi i Drenicës sot në Gjykatën e Apelit

Njëmbëdhjetë eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me komandantin e përgjithshëm, Sylejman Selimi, pritet të dalin sot para një trupi gjykues të Gjykatës së Apelit.

Seanca do të mbahet për të shqyrtuar ankesat e tyre kundër dënimit të shqiptuar vitin e kaluar për krime lufte.

Të gjithë të akuzuarit që përbëjnë atë që quhet “Grupi i Drenicës”, janë dënuar për krime lufte nga 3 deri në 12 vjet burgim.

Dënimin më i rëndë ishte shqiptuar ish-komandantit të Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, për vrasjen e një civili, identiteti i të cilit nuk dihet, sikurse që nuk dihet as koha e saktë dhe vendi i saktë se ku ishte vrarë.

Shkalla e parë e kishte shpallur fajtor ish-komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për veprën penale Krime të Luftës duke e shkelur rëndë Nenin 3 i përbashkët për Konventat e Gjenvës.

“Sylejman Selimi është fajtor për këtë vepër penale: gjatë konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë në disa raste në gusht dhe shtator të vitit 1998, duke vepruar në cilësi të pjesëtarit të UÇK-së, ka shkelur rëndë Nenin 3 të përbashkët për katër Konventat e Gjenevës …, sepse me dashje ka kryer dhunë, trajtim mizor dhe torturë ndaj dëshmitarit A, civil, shqiptar i Kosovës, i paraburgosur në objektin e paraburgimit të UCK-së në Likoc, komuna e Skenderajt, i cili nuk kishte marrë pjesë aktive në veprime ushtarake, duke e rrahur atë me grushte dhe shuplakë, duke e kërcënuar me vdekje dhe duke e akuzuar se ishte spiun, brenda në qelinë e paraburgimit”, thuhet në aktgjykimin e shkallës së parë.

“Për këtë vepër penale… z. Sylejman Selimi dënohet me 6 vjet burgim”.

“Sami Lushtaku është fajtor për veprimin kriminal në vijim: duke vepruar në mënyrë brutale, i mori jetën me dashje një mashkulli të paidentifikuar që flet shqip, rreth moshës 40 vjeçare, në atë mënyrë që i ka vënë në kokë pistoletën e tipit TT, gjersa mashkulli kishte duart e lidhura dhe ruhej nga dy ushtarë të paidentifikuar të UÇK-së dhe pastaj ka shkrepur tri të shtëna në kokën e mashkullit dhe me këtë ka shkaktuar vdekjen e tij, në një lokacion të pacaktuar ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc, në një datë të pacaktuar në shtator të vitit 1998 dhe ky veprim klasifikohet si vrasje”, thuhet më tej në aktgjykim. “Për këtë vepër… Sami Lushtaku dënohet me 12 vjet burgim”.

Mes të dënuarve janë edhe katër vëllezërit Demaku, mes të cilëve deputeti Fadil Demaku dhe kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku.

Të përfshirë janë edhe katër vëllezërit Demaj. Të gjithë të shpallur fajtor.

Mbrojtja pretendon se dënimet janë të pabazuara. Bazuar në këto pretendime është ankuar në Gjykatën e Apelit dhe pret që të akuzuarit të lirohen nga akuzat./Insajderi/

Temat
LajmeVend

Të afërta