Çollaku: Përkundër sfidave, Kosova mbetet në fokusin e BE-së

Në konferencën “Prioritetet e Mbretërisë së Holandës në Këshillin e BE-së në fokus në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën”, e cila po mbahet në Prishtinë, ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, ka thënë se BE-ja nuk e ka zbehur interesin për Kosovën.

“Më gëzon fakti se për kundër sfidave të BE-së nuk kemi pasur zbehje të fokusit të shteteve të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën. Gjatë këtij viti me hyrjen në fuqi të MSA-së dhe rekomandimin e vizave kemi pasur transformim pozitiv në rrugën e integrimeve”, ka deklaruar Çollaku, raporton lajmi.net

Ai ka shtuar se fokusi i institucioneve të Kosovës deri në anëtarësimin në BE, do të jetë zbatimi i plotë i marrëveshjes së MAS-së në afate kohore.

“Synimi jonë është që gjatë këtyre tri viteve ne të aplikojmë për statusin e vendit kandidat të BE-së”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems, ka konfirmuar se shteti i saj mbetet i fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.

“Ne fokusohemi në respektimin e vlerave të BE-së, si respektimi i ligjit dhe të drejtat fondamentale”, është shprehur Willems, shkruan lajmi.net

Ajo ka nënvizuar se Holanda ka qenë, është dhe do të mbetet partnere e Kosovës në rrugë evropiane. Por sipas saj, sundimi i ligjit është një gjë shumë e rëndësishme.

“Implementimi i MSA-së do të jetë një shtytje e Kosovës drejt përafrimit në BE. Përkushtimi, plotësia dhe zbatimi i reformave janë elemente të rëndësishme drejt afrimit në BE. Po ashtu edhe komunikimi me qytetarët”, konstatoi Willems.

Kujtojmë se nga janari i këtij viti Holanda ka marr kryesimin e BE-së.

Temat
LajmeVend

Të afërta