Lajme

Arben Gashi godet Isa Mustafën: Demarkacioni nuk është kusht për heqjen e vizave

By Emanuel Demaj

May 11, 2016

Në mesin e kritereve për liberalizim të vizave për Kosovën, Komisioni Evropian ka parashtruar edhe demarkacionin me Malin e Zi. Kështu thuhet në raportin e paraqitur nga Komisionit i BE-së. Komisionari për Migracion, Punë të Brendshme dhe shtetësi, Dimitris Avramopoulos ka kërkuar nga deputetët e Kosovës që ta bëjnë sa më shpejt ratifikimin e kësaj marrëveshje në Kuvendin. Njëjtë ka deklaruar edhe kryeministri i Republikës, Isa Mustafa, i cili ka thënë se demarkacioni i cili po kundërshtohet nga opozita është kërkesë e BE-së për lëvizje të lirë.

Mirëpo i këtij mendimi nuk është deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi. Ai në një intervistë për “Indeksonline” ka thënë se Demarkacioni me Malin e Zi nuk duhet të jetë kusht për heqjen e vizave për kosovarët. Një klasë politike po e trajton si kusht këtë çështje, mirëpo, sipas Gashit, nuk duhet të jetë si e tillë.

“Nuk mendoj që është kusht kryesor demarkacioni dhe nuk do të jetë kush kryesor. E rëndësishme është që kufijtë e Kosovës të përcaktohen por demarkacioni si i tillë nuk mendoj se është kusht për liberalizimin e vizave. Mendoj se qytetarët e Kosovës shumë shpejt duhet të lëvizin lirë në vendet e Bashkimit Evropian por të mos jetë demarkacioni kusht për liberalizimin e vizave sepse është e paarsyeshme. Të mos të trajtohet si i tillë pasi nga një klasë politike po trajtohet në këtë mënyrë por nuk duhet të jetë kusht për liberalizimin e vizave. Është çështje me të cilat Kosova do të merret dhe se si do të trajtoj mbetet të shihet a do të merr kohë a do ta qojë në nivel tjetër të trajtimit. Problemi me Malin e Zi do të zgjidhet por nuk duhet të krijohet përshtypja që kjo zgjidhje do të jetë e dhunshme”, ka thënë ai.

Gashi ka folur edhe për mundësin e riformatizimit të Qeverisë së Republikës. Ai ka thënë se partnerëve e koalicionit (PDK-LDK) mund ta vlerësojnë më mirë nëse duhet apo jo të ketë ndryshime të ministrave apo anëtarëve të tjerë të kabinetit Mustafa.

“Partnerët e koalicionit në vazhdimësi munden me vlerësu gjendjen politike në vend dhe stabilitetin politik të koalicionit dhe të marrin veprime për me stabilizu koalicionin, nëse ata e vlerësojnë se është e domosdoshme është në autoritetin e tyre me marrë veprime të tilla”, është shprehur ai. /Indeksonline/