Ambicia e Kurtit kalon kufirin

Pjesëmarrja e Albin Kurtit në protestën e opozitës në Maqedoni, shihet si sinjal i qartë i ambicieve të tij në shtrirjen e lëvizjes përtej kufijve të Kosovës.

Ndonëse ka kohë që nga diskursi publik ka tërhequr temën e “Shqipërisë së madhe”, paraqitja e Kurtit në këtë protestë është parë si përpjekje e tij që të aktivizojë strategjinë e përfshirjes së kauzës së “Vetëvendosjes” përtej Kosovës, shkruan “Zëri”.

Kurse pjesëmarrja e Albin Kurtit në protestën e organizuar nga Këshilli që përfaqëson disa parti opozitare, organizata joqeveritare dhe intelektualë të pavarur, me moton “Drejtësi, Dinjitet, Demokraci” sipas partisë së tij është e domosdoshme për shkak të gjendjes së rëndë të shqiptarëve në këtë shtet.

Përderisa “Vetëvendosja” thotë se shqiptarët në Maqedoni po diskriminohen dhe se ky subjekt politik vazhdimisht do t’i përkrahë protestat e tilla, analistët politikë në vend thonë se Albin Kurti nuk e fsheh pretendimin që të jetë lider i një lëvizjeje gjithëshqiptare.

Por sipas tyre, bashkimi i shqiptarëve është i mundshëm vetëm në kuadër të proceseve integruese euroatlantike. Megjithëse, analistët vlerësojnë se skena politike në Maqedoni duhet të ndërrohet, ata thonë se kjo mund të bëhet përmes bashkëpunimit të shqiptarëve me opozitën maqedonase. /Zëri/

Temat
LajmeVend

Të afërta