Rreth veprës polemiste analitiko-historike “Për të mundshmen dhe të pamundshmen” të autorit Sabri Maxhuni – Novosella

E kaluara si mesazh për sot dhe për nesër…
Udhëtimi drejt të mundshmes dhe të pamundshëm është i lashtë sa vetë jeta njerëzore, qoftë si praktikë veprimi, qoftë si filozofi jetësore dhe historike. Me këto dy kategori antonimike lidhen disa nga porositë biblike dhe kuranore; nga ana tjetër, ato gjallojnë shpirtin kolektiv të përbotshëm, që nga Epi i Gilgameshit e deri te Cikli shqiptar i Kreshnikëve. Në konceptin historik, këtyre kategorive iu qaset në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me një analizë komplekse, ndoshta për herë të parë në historinë e mendimit historik shqiptar, autori Sabri Maxhuni, i cili me një intuitë dhe mprehtësi të admirueshme, ia ka dalë të depërtojë në palcë të historisë së popullit shqiptar. Thonë se Historia është mësuesja e jetës dhe dihet se Historinë e shkruajnë historianët, siç dihet, se ata janë njohësit më të mirë të MËSUESES së jetës. Këtë “mësuese” të jetës e gjejmë të zbërthyer hollësisht e me një aparat të gjërë analize e reflektimie në veprën “Për të mundshmen dhe të pamundshmen” të autorit Sabri Maxhuni – Novosella, publicist, historian e analist i fortë i filozofisë së çështjes kombëtare. Vepra në fjalë është një studim i rrallë i fushës publicistike e dokumentare. Kjo vepër ngërthen në vete ide, analiza, vështime, ngjarje, të dhëna, por ka edhe polemika e mendime të forta nga autori. Vepra “Për të mundshmen dhe të pamundshmen” të Sabri Maxhunit – Novosella, është një lloj kronike e “gjallë” e jetës sonë. Pse, athua? Thonë, frymëzimi për të shkruar “diçka”, vjen një herë. Andaj, duke lexuar veprën në fjalë, u bëra “mik” besnik i saj. Ajo (vepra) hyri papandehur në mua, më trazoi mendimet dhe më bëri të udhëtoj në kohë, në atë rrugëtim të dijes historike, që sjell me vete rishqyrtimin dhe ballafaqimin e fakteve, të të ndodhurave dhe zinxhirit komplesk shkak-pasojë. Dhe nuk mundja të dilja lehtë nga leximi, një lexim i thelluar, që zakonisht vjen me ndjesinë komplekse të një “zbulimi”, i cili duket se ka qenë aty, brenda teje, por ti nuk e ke ditur. Autori Maxhuni ta zgjon këtë dije, pasi në këtë “lexim të thellë”, bashkë me “lodhjen” për të mësuar edhe diçka “tjetër” nga ajo që do duhej të dimë, vjen dhe befasimi nga të vërtetat tepër të thjeshta dhe tronditëse, që përcjell kjo vepër. Autori Sabri Maxhuni është njohësi më i mirë i “nyjeve” të historisë sonë kombëtare. E pëlqej “brumin” e veprës që ka “peshë” jo vetëm dokumentare-polemizuese, por edhe historike e publicistike. Aty, në vepër e pëlqeva thënien filozofike të S. Maxhunit, kur shton: “E mundshmja dhe e pamundshmja janë përcjellëse e çdo populli”. Ky është projekt thelbësor i idejëzuar, ku qëndrojnë bashkë njohja e thellë e historisë me intuitën e analistit dhe të politologut, larpamësia e ideologut dhe vizionarit mendjekthjellët. “Enigma” e filozofisë së trajtuar nga autori, ngërthehet në darët e fakteve dhe argumeneteve të përdorura me një intuitë të hollë e konkrete. Duke pohuar se: “e ardhmja i ka rrënjët në të sotmen, e cila është fryt i së kaluarës”, Maxhuni rrok thelbin e vetë historisë sonë të trazuar, duke zbuluar shkaqet e defekteve, plagëve dhe traumave tona historike. Sipas autorit, asgjë s’mund të ndërtohet e as të shkruhet pa e njohur të kaluarën, kjo është një filozofi e qartë e akcilit njeri dhe filozofi ekzistenciale e çdo populli e kombi në rrugëtimin historik e të përditshmërisë. Ky realizëm i thjeshtë e befasues, e çon Sabri Maxhunin në një përcjellje serioze të njërës prej të vërtetave më kuptimplote, ku ngërthet e kaluara, e sotmja dhe e ardhmja e shqiptarëve në Gaishullin e vjetër. Duke pasur mençurinë dhe kthjellëtsinë e një iluministi mendjehapur, Maxhuni me një gjuhë të zhdërvjellët, herë polemizuese e herë sarkastike, të gjallë e plot nerv analitik, na jep një çelës për të hapur portat e të kaluarës, portat e historisë, duke iu dhënë njëherësh një mesazh politikanëve tanë dhe elitës mbarëshqiptare, për sot e për nesër. Autori Sabi Maxhuni Novosella është publicist i thellë i mendimit filozofik e etik, por edhe reagues e polemizues. Ai është studiues koherent i ngjarjeve. Me dijet e tij prej historiani e publicisti, po tregon se ka depërtuar thellë në zhvillimet e mëdha të së kalurarë sonë. Duke i ditur këto “nyje” të historisë sonë, ai me argumente e fakte, por edhe me filozofinë e tij etike e morale, po e zbardh ngadalë e i sigurtë çështjen e historisë sonë kombëtare. Autori i veprës është njohës i mirë i rrethanave, nga kohët e lashta të etnitetit tonë shqiptar e gjer në ditët e sotme. Sidomos, ai është njohës i zhvillimeve historike nga Beteja e Kosovës së vitit 1389, ku këtë periudhë të hershme e rrëfen dhe e zbërthen si të ishte një shkencëtar i profilizuar i kësaj fushe të dijes. Dhe, nga veprat e tij, të cilat janë afër njëzet sosh, lexuesi vjen në përfundimin, se ky personalitet i shkrimeve publicistike e shkencore po hapëron guximshëm në ndriçimin e filozofisë së çështjes sonë kombëtare shqiptare.
Pse jo?
Maxhuni në veprën e tij “Për të mundshmen dhe të pamundshmen”, ndalet me vullnet të përshkruajë “gjendjen” e autorëve sllavo-grekë, të cilët e kanë shkruar historinë jo sipas parimit të të së ndodhurës, por sipas interesit të tyre. Lidhur me këtë “fenomen”, autori në fjalë shton, se “historianët tanë shqiptarë e kanë shkruar historinë sipas interesave të sllavo-grekëve, respektivisht kundër interesave kombëtare shqiptare”(f.10). Autori i veprës thotë se ka qenë interpretimi i gabuar i historisë sonë, që gjithnjë është bërë në favor të politikës shoviniste sllavo-grekëve, i cili ka shkuar përherë në dëm të popullit shqiptar. Këtë mendim filozofik e logjik e thotë autori në hyrje të librit të tij, ku nxjerr përfundimin se, shqiptarët gjithnjë kanë qenë të pushtuar nga shtetet sllavo-greke-bizantine- ortodokse, ku kanë qenë të rrezikuar nga shfarosja në tjetër kombë e tjetër fe. Këtu është mençuria e autorit, i cili, këto “çështje” po i shpërfaq në mënyrë të qartë e të argumentuar. Dihet se, Perandoria Osmane – Islame ishte një konglomerat popujsh. Këto “sende” Sabri Maxhuni – Novosella i ligjëron në mënyrën më të mirë të mundshme. Tek autori i veprës pëlqehet një fakt shumë i qëlluar dhe me vend. Ai shton se, për ta shkruar këtë vepër, e shtyu “thënia e një armiku të përbetuar të popullit shqiptar, Ivica Daqiç, i cili, pas nënshkrimit të marrëveshtjes me Thaçin, në Bruksel, (ndonëse serbët e akuzuan për tradhti kombëtare për shkak të atij nënshkrimi), si justifikim, tha: “Ai që lufton për të pamundshmen, e humb të mundshmen”(f.23). Kjo thënie e nxiti autorin e veprës të shkruajë këtë projekt- libër, i cili tani që ndodhet në duart e lexuesit shqiptar, sigurisht ka një vlerë dhe një rëndësi të veçantë në historiografinë shqiptare. Vërtetë, ky konstatim është dashur të përfolet nëpër ndeja, debate e në disa vend kyçe, për faktin se, duke lexuar e analizuar si thënie e një kurndërshtari të përbetuar për të keq, më në fund, njeriu vjen gjer tek thyerja e traditës shekullore serbo-sllave, ku përherë ftohen që të “hiqet dorë nga e pamundshmja dhe të luftohet për të mundshmen”. Pra, vetëm Sabri Maxhuni – Novosella e hetoi këtë “filozofi” të serbit në fjalë, i cili kërkon të këndellet dhe të luftojë për të mundshmen. Jo vetëm kaq. Sabri Maxhuni -Novosella, duke njohur veprimet dhe praktikat e luftës serbo-ruso-sllave, arsyeton se veprimi i tyre në dobi të kombit është një model që mund të ndiqet, se: “Kur është çështja e atdheut, duhet t’i japësh birin, vajzën, gruan…”(f.27). Kjo ishte politika serbo-ruso- sllave, politikë e cila vë gjithçka në shërbim të vatanit; pra, ata për kombin e tyre ata kanë sakrifikuar më të mirët, familjen etj. Studiuesja, Naile Demiri, në studimin e saj rreth librit të S. M. Novosellës “Për të mundshmen dhe të pamundshmen”, ka shtuar se: “kësaj radhe ka dalë me një polemikë me të gjithë ata që përpiqen të grimcojnë sadopak, me apo pa vetëdije, dëmtimin e interesit kombëtar, duke i paralajmëruar se nuk ka mundësi të manipulojë në çfarëdo mënyre, apo në çfarëdo mjeti, me çështjen shqiptare në nivelin e duhur institucional të shtet-formimit dhe për modelet e veprimeve konspirative antishqitare që kultivon trinomi famëkeq serb”(f.314). Andaj, Sabri M. Novosella është padyshim një nga rojat më vigjilente e kombit e të historisë së tij. Këtu është nyja dhe thelbësorja e filozofisë së tij si publicist dhe si njeri, i cili asnjëherë nuk është marrë me pasojat, por përherë është marrë për shkaqet apo me procesin e shkaqeve që ndodhen e shkaktojnë huti tek masa. Ai po artikulon vlera me peshë historike. Sa më duket, nuk ka asnjë nga personalitetet e historisë, teologjisë, filozofisë politike e të tjera që do të jenë të përgaditur për të reaguar apo të polemizuar me të. Kjo është madhorja e tij publicistike dhe filozofike. Nuk ka gjë më të pranushme se sa argumentet. Ato flasin vetë. Ato shkaqet i argumentojnë. Autori i veprës e thotë troç e logjikshëm: “Kosova kurrë nuk ka qenë serbe e as s’do të jetë”! Ai në një vend të veprës, shton: “Kosova shumë vjet më para Krishtit dhe pas Krishtit ka qenë shqiptare, ashtu siç është edhe sot, herë e tkurrur e herë në kufijtë e saj natyral. Ajo e ka mbajtur vazhdimësinë e zhvillimit të rritës shqiptare, ka mbajtur gjenezën shqiptare si një racë e papërzier, e pa dyndje a plasaritje”(f.316). Thotë, jemi mrekulli e Zotit që populli ynë ka histori krenare! Është racë që kemi qenë den-baba-den të këtij trolli. Ky është fenomen madhor. Duhet ta ruajmë këtë histori të lashtë e të ndershme të popullit tonë. A e di kjo gjeneratë se populli ynë ka qenë në rrezik të zhdukjes nga faqja e dheut?! Sabri Maxhuni – Novosella e ka ndriçuar këtë pjesë të ndjeshme të hisotorisë sonë, ku në veprëm e tij, shton: “Shqiptarët në pjesën dërmuese të territoreve të veta ishin në zhdukje e sipër nga terrori dhe masakrat e pushtuesve serbë ndaj popullit shqiptar”(f.63).
Por, ja mrekullia e Zotit, se shqiptarët u rikthyen në teritoret e tyre prej nga “kishin qenë të detyruar të largoheshin në drejtim të thepave të lartë shkëmborë”. Pra, këto “sende”, autorin e nxitën të shkruajë veprën “Për të mundshmen dhe të pamundshmen”. “Sondën” e tij shkrimore, autori e futi të kërkojë që nga koha e Betejës së Kosovës në vitin 1389 e deri në ditët tona. Ajo që të suprizon dhe të bën të ndihesh i përfshirë gjallërisht në veprën e këtij ideologu sa polemist aq dhe refflektiv ndaj të shkuarës, mbetet fakti se Sabri M. Novosella, me anë të kësaj vepre publicistike po i obligon historianët shqiptarë, siç thotë, “të linjës pro bizantine dhe për të gjithë të tjerët që t’i lexojnë librat e Prof. dr. Ferid Muhuqit, i cili, në mënyrë të argumentuar, pohon se më së tepërmi e pësoi populll boshnjak që ra në kurthin serbo-sllav, duke e pranuar një njëfarë mënyre Perandorinë Osmane si “Perandori Turke”(f.71). Pra, sipas autorit, ky fakt ishte rast i “volitshëm” për serbo-sllavët që këtë popull e masakruan në mënyrë të tmerrshme e barbare. E vërteta po ndriçohet. Maxhuni, jo vetëm në këtë libër, por në gjithë shtrirjen e veprës së tij të gjallë dhe të artikuluar kundër rrjedhave, po i shërben këtij ndriçimi; po ndriicon skutat e kohërave, fasadat dhe keqkuptimet, flirtet historike dhe retorikën tribunale, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me faktin dhe të vërtetën historike, duke nxjerrë në pah lidhjen komplekse të ngjarjeve në kohë dhe rrjedhat e tyre deri në aktualitetin tonë. Edhe historianët shqiptarë duhet t’i vërtetojnë argumentet apo tezat e xhonturqve dhe sllavo-grekëve se “gjoja Perandoria Osmane nuk ka qenë Perandori Osmane, njëjtë siç ishte atë kohë Perandoria Romake, ku janë folur 40 gjuhë, si thotë Kadare, e më 62 milete, është thënë në popull. Pra, kjo na paska qenë Perandori Turke”!!!(f.73). Andaj, autori (S. M. N) e analizon këtë çështje, e cila lidhet dhe ka qenë frymarrje për popullin shqiptar. Ai shton: “E vërteta ka qenë, është dhe do të jetë në vazhdimësi se të gjthë pushtuesit jashtëballanikë, edhe pse kanë qenë pushtues, kanë qenë frymëmarrje për popullin shqiptar, të cilëve u zihej fryma nga planet e megaloidesë Garashaniane, Çubrilloviqët, Andriqët etj., të cilët kishin për qëllim zhdukjen e popullit shqipar nga territoret e veta shekullore”(74). Në veprën e autorit flitet edhe për manipulimin e emrit të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. Këta që manipulojnë me emrin e Heroit të Kombit, Skënderbeun, sipas autorit, janë shërbëtorë të sllavo-greko-orthodokësve. Këta “historianë” të mjerë, duke dalë me këto mendime shpifëse, jo vetëm që do të zënë vend diku, në cepin e ndonjë historie pa vlerë, por emrat e tyre nuk do të vlejnë as për relike muzeale, pra thënë ndryshe, nuk do të zihen fare në gojë. Skenderbeu ishte e mbetet legjenda e shqiptarëve. Ai u ka pri luftërave për çlirim kombëtar. Kjo figurë madhore e kombit tonë po pranohet në çdo vend me ngritjen e shtatores së tij. E autori i veprës, pos tjerash, shton: “Kështu, lufta e Skënderbeut, edhe se ishte shumë heroike, fitorja e shqiptarëve nënë komandën e Skënderbeut ishte e pamundur. Pra, Skënderbeu zhvilloi luftë për të mundshmen”. (f.89). Pra, sipas autorit, luftërat e shqiptarëve për të pamundshmen nuk ishin ndalur Për këtë histori të luftërave të pamundshme, autori shton: “Është e vërtetë, se të gjitha luftërat që i bënin shqiptarët për të pamundshmen ishin të nxitura nga sllavo-grekët”(f.102). Mandej, Sabri M. Novosella shkon gjer tek vrasjet masive të popullatës shqiptare. Bie fjala, nga Tivari e deri në Ohër janë vrarë 70 mijë shqiptarë; nga Jeni Pazari e deri në Ohër u deportuan 422 mijë shqiptarë. E çfarë mund të shkojë më keq se kaq, nën okelion e të pamundshmes, në rrjedhat e kohës së një populli të ndaluar?! Autori pohon se, “rreziku për zhdukjen fizike të popullit shqiptar vazhdon edhe pas LDB-së e deri në Luftën Çlirimtare të Kosovës në viett 1998-1999.”(f.137). Ai pohon se, në luftën e fundi pati të tillë që donin të luftojnë për të pamundshmen, por pati edhe të tjerë që donin të luftojnë për të mundshmen. Prandaj, siç shton autori i veprës: “Fati i madh i popullit shqiptar, respektivisht i popullit të Kosovës, ishte fakti se Millosheviqi ishte hedhur në luftë për të pamundshmen e që në favorin e tij shkonin edhe përpjekjet e disa shqiptarëve për të pamundshmen” (f.138).
Metush Krasniqit, në vazhdimësi kishte luftuar për të mundshmen”(f.139). Autori shkruan” “Gjatë gjithë historisë, atdhetarët kanë luftuar për të mundshmen, ndërsa zhurmaxhinjtë kanë luftuar për të pamundshmen”(139). Maxhuni pohon se prapa këtyre qëndron dora konspirative sllavo-greke e antishqiptare që punon për ta përçarë kombin shqiptar. Miku ynë i madh, Amerika thotë se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm, kurse Rusia thotë se Kosova është pjesë e Serbisë! E ne shqiptarët, pyet autori: ku jemi? Sabri M. Novosella, në veprën e tij shton se: “de jure, ne i kemi dy shtete shqiptare, me kryeqendrat e tyre, Prishtinën dhe Tiranën. Dhe mirë është që të bëhemi një shtet, me kufijtë e sotshëm, që nga Konispoli e deri në Merdare, që nga Durrësi e deri në Preshevë”(147). Jo vetëm kjo. Autori i veprës s’ndalet së kërkuari e së gjurmuari rreth shkaqeve të shumta, të krijuara në larminë e rrethanave nga vetë shqipfolësit, që kanë krijuar hap pas hapi e në mënyrë të vazhdueshme të keqen tonë të madhe, duke u bërë robër të së pamundshmes, e cila ushqehej dhe ende sot ushqehet nga prapavijat e konspiracionit. Ai këto shkaqe i gjen dhe ato i zbërthen lehtë me argumente të shumta. Mandej, Sabri M. Novosella polemizon me disa autorë shqipfolës. Polemizon me Rron Gjinovcin, me Ndue Ukajn, me Edi Ramën, Rexhep Qosjen, Kim Mehmetin, Frank Shkrelin etj. Me këto njerëz, autori nuk polemizon nga pozitat e kundërshtarit politik apo të kundërshtarit të ideve, por për t’iu treguar rrugën e së vërtetës, që të gjithë së bashku të mësojmë nga e kaluara e t’i përdorim mesazhet e saj për sot dhe për nesër. Polemika e tij i stopon dhe ata heshtin, nuk përgjigjen, siç duket iu mungojnë argumentet, faktet, kurajoja për ta parë të vërtetën në sy, siç e vështron idealisti iluministo-realist Sabri Maxhuni-Novosella. Ata nuk reagojnë, se nuk i përballojnë dot dijet e tij. Me fjalë të tjera, ata kanë hyrë nëpër “kallamoq” të A. Huglicës, poet i ndjerë. Apo kanë hyrë si në birë të minit të F. H. Në një vend, autori shton: “Unë, Sabri Maxhuni, me të gjitha librat e mi që zbërthejnë “enigma” historike të kombit tonë, prezantoj argument pas argumenti, se si popujt fqinj, jo vetëm që bëjnë, por edhe në të kaluarën kanë bërë plane, projekte, elaborate për pushimin e territoreve shqiptare”. Pra, autorin e mundon kjo “enigmë”, e cila shqiptarëve ju sjell dëme nga shkaqet e bëra. Dhe, autori shton: “Edi Rama, me këto paraqitje përpiqet të na bindë se sa mirë do të ishte sikur Kruja, Berati etj., të ishin pronë e popujve fqinj, nga se ata do të kujdeseshin më mirë për këtë trashëgim…”(f.163). Sabri M. Novosella polemizon edhe me Rexhep Qosjen. Polemizon me të, se ai ishte frymëzuar nga “revolucioni demokratik” i vitit 1924, që po ashtu, i nxitur nga konspiracioni sllavo-grek, e rrëzoi qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike. Autori shton: “Thirrjet e akademikut “Të gjithë kundër Sali Bershës”, në të vërtetë ishte thirrja “Të gjithë kundër Shqipërisë”(f.170). Në fund, autori i ka dy shkrime interesante: “Historia po përsëritet” dhe “O shqiptarë, zbritni në tokë!”. Maxhuni iu drejtohet të gjithë shqiptarëve që të zbresin në tokë, sepse ata duhet ta dinë mirë së kë kanë mik e kë kanë armik të tyre. Kjo është një vepër polemizuese, e cila i ka “prekur” nyjet e ndjeshme të filozofisë së çështjes sonë kombëtare. Kjo vepër e Sabri Maxhunit Novosellës është një vepër e nevojshme, për të qenë në tryezën e punës së çdo gazetari, analisti, politikani, mendimtari, politologu, pasi në të mund të gjejmë çelsin për të kuptuar shumëçka që ka shkuar në të kundërt të mbarësisë sonë kombëtare; mund të gjejmë dhe rrugët nga duhet shkuar që pësimet e të kaluarës të mos riciklohen më. Shkruan:Tefik Selimi

Temat
Opinione

Të afërta