Botë

Ministri i Shëndetësisë së Rumanisë dorëhiqet pas një sërë skandalesh

By FIRST CHANNEL

May 09, 2016

Ministri rumun i Shëndetësisë, Patriciu Achimas-Cadariu dha sot dorëheqjen pas disa skandaleve që tronditën këtë sektor gjatë muajve të fundit, duke përfshirë vdekjen e tre foshnjave pas një infeksioni ende të mistershëm.

Kryeministri Dacian Ciolos, i cili njoftoi këtë fundjavë se sektori i shëndetësisë do të ishte prioriteti i tij numër një, kritikoi në mënyrë indirekte veprimtarinë e ministrisë, pas pranimit të dorëheqjes së Patriciu Achimas-Cadariu.

“Problemet e thella të sistemit të shëndetësisë nuk mund të zgjidhen thjesht me një dorëheqje”, paralajmëroi edhe presidenti i vendit, Klaus Iohannis, duke i kërkuar ekzekutivit zgjidhje të qëndrueshme dhe një plan afatgjatë për stabilizimin e sistemit.

Disa ditë më parë, ai i kërkoi qeverisë teknokrate që duhet të qëndrojë në pushtet deri në zgjedhjet legjislative të nëntorit, një plan ndërveprimi urgjent pas zbulimit të shumë parregullsive në furnizimin me dezinfektantë të spitaleve.