Fondet e trepërqindëshit, hetime për Bukoshin dhe dy të tjerë edhe në Tiranë

Nisin hetimet edhe në Shqipëri për ish-kryeministrin e Kosovës në mërgim, Bujar Bukoshi. Me kërkesë të autoriteteve të zbatimit të ligjit në Kosovë, prokuroria shqiptare mësohet se është vënë në lëvizje.

Fjala është për një hetim financiar që përfshin jo vetëm Bukoshin, por edhe dy personazhe të tjera publike në Kosovë, Atdhe Gashi e Naser Osmani.

Veprimet hetimore mësohet se në muajin prill të këtij viti i janë ngarkuar Prokurorisë së Tiranës.

“Kërkesa për hetim ka mbërritur në Tiranë nga Prokuroria Speciale e Kosovës në datën 15 janar 2016 dhe mban numër protokolli 190/1”, ka mësuar gazeta “Panorama” nga burime të Prokurorisë.

Sipas këtyre burimeve, mësohet se shtetasit Bujar Bukoshi, Atdhe Gashi dhe Naser Osmani janë duke u hetuar nëse kanë kryer veprat penale të dyshuara “shpëlarje e parave” dhe “shpërdorim” në kundërshtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës.

HETIMI

Për këtë hetim të nisur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, kjo e fundit ka kërkuar kryerjen e verifikimeve të nevojshme në Shqipëri në lidhje me tre personat e dyshuar.

Veprimet hetimore konkretisht kanë të bëjnë me identifikimin e llogarive bankare apo pasurive së paluajtshme në emrat e Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Në pamundësi ligjore e procedurale për t’i kryer vetë veprimet e nevojshme në Shqipëri, Prokuroria Speciale e Kosovës ka dërguar letërporosi për ndihmë juridike në Ministrinë e Drejtësisë në Tiranë.

Kjo e fundit, duke parë se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës kishte të bënte me kryerje veprimesh hetimore, e ka përcjellë letërporosinë në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila ia ka deleguar më pas kryerjen e veprimeve Prokurorisë së Tiranës. Mësohet se prokuroria e Tiranës ka kryer një sërë veprimesh që nga fillimi i muajit mars 2016 e në vazhdim.

Sipas letërporosisë, të gjitha informacionet e mbledhura në banka, në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe kudo tjetër, prokuroria do t’ia dërgojë palës kosovare me letërporosi për t’u përdorur në efektin e provës penale.

KOSOVA

Prokuroria Speciale e Kosovës mësohet se po heton ndaj Bujar Bukoshit e dy personave të tjerë në lidhje me “fondin e 3-përqindëshit”. Kjo ka qenë për shumë kohë një temë e nxehtë në Kosovë, ndërsa shifrat e përmendura kanë qenë të mëdha.

Pjesë e hetimit janë edhe fonde të mbledhura jashtë Kosovës, në kuadër të financimit të lëvizjes për çlirimin e vendit deri në vitin 1999 dhe menaxhimi i këtyre shumave pas largimit të okupatorit serb. Media e Kosovës ka folur për rolin e Bukoshit edhe në shitjen e një banke të njohur.

Temat
LajmeVend

Të afërta